Cilat janë pasaportat më të fuqishme pas pushtimit rus të Ukrainës

Mbyllja e hapësirës ajrore për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë dhe hapja e kufijve për refugjatët ukrainas ka filluar të ushtrojë ndikim në liritë globale të udhëtimit.

Sipas të dhënave më të fundit për pasaportat më të përshtatshme për udhëtime në botë ka pasur pak ndryshime në listë.

Indeksi është përpiluar nga firma këshilluese për shtetësinë dhe vendbanimin global me bazë në Londër Henley & Partners.

Që nga shpërthimi i luftës në fund të shkurtit, shumë vende ose kanë ndryshuar politikat e tyre të hyrjes ose kanë hequr plotësisht kërkesat për viza për mbajtësit e pasaportave ukrainase, që do të thotë se Ukraina është ngritur në një rekord të lartë në raport.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë ndaluar të gjithë operatorët rusë nga hapësira e tyre ajrore, ndërsa disa destinacione nuk po lëshojnë më viza për qytetarët rusë, “duke e dënuar në mënyrë efektive pasaportën ruse me status të pavlerë në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar”, thotë një raport nga Henley & Partners.

Megjithëse kjo nuk ka ndikuar ende në mënyrë dramatike në pozicionin e Rusisë në listë, raporti sugjeron se kjo ka të ngjarë të ndryshojë në muajt e ardhshëm.

Indeksi i pasaportave Henley, bazuar në të dhënat ekskluzive të siguruara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), ka monitoruar rregullisht pasaportat më të përshtatshme për udhëtime në botë që nga viti 2006.

Në listën për tremujorin e dytë të 2022, Ukraina është ngritur një vend dhe tani renditet e 34-ta në indeks dhe shtetasit e saj tani mund të udhëtojnë në 192 destinacione pa viza (ose viza në mbërritje). Rusia ka rënë katër vende në vendin e 49-të,  një pozicion që pritet të përkeqësohet pasi pezullimet e vizave dhe sanksionet janë zyrtarizuar.

Maja e indeksit mbetet e njëjtë si më parë, me Japoninë dhe Singaporin që ndajnë vendin e parë. Mbajtësit e këtyre pasaportave janë në gjendje të udhëtojnë në 192 destinacione pa viza në teori, por vlen të theksohet se kjo nuk merr parasysh kufizimet e përkohshme.

Shtetasit afganë ulen sërish në fund të indeksit dhe mund të hyjnë në vetëm 26 vende pa kërkuar vizë paraprakisht.

Europa dominon sërish

Më tej në top 10, Koreja së bashku me Gjermaninë është ende në vendin e dytë, me një rezultat prej 190 vendesh, dhe Finlanda, Italia, Luksemburgu dhe Spanja janë të gjitha së bashku në vendin e tretë, me një rezultat prej 189.

Ndërsa Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia ndajnë vendin e katërt, me një rezultat prej 188 vendesh, Franca ka zbritur në vendin e pestë.

Mbretëria e Bashkuar, e cila hoqi të gjitha kufizimet e mbetura në lidhje me Covid-19 muajin e kaluar, është ngjitur me një vend në vendin e pestë, duke u renditur së bashku me Francën, si dhe Irlandën dhe Portugalinë, me një rezultat prej 117 vendesh.

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në vendin e gjashtë, me 186 vende, duke ndarë pozicionin me Belgjikën, Zelandën e Re, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Nuk ka asnjë ndryshim në numrin shtatë, me Australinë, Kanadanë, Republikën Çeke, Greqinë dhe Maltën që qëndrojnë sërish bashkë, me rezultatin 185.

Në vendin e tetë, Hungaria qëndron e vetme, me 183 pikë, ndërsa Polonia ka zbritur nga e teta në të nëntën në listë, duke ndarë vendin me Lituaninë dhe Sllovakinë, me 182 pikë. Estonia, Letonia dhe Sllovenia përfundojnë dhjetëshen e parë , me rezultatin 181.

Pasaportat më të mira për të mbajtur në vitin 2022 janë:

1. Japoni, Singapor (192 destinacione)

2. Gjermania, Koreja e Jugut (190)

3. Finlandë, Itali, Luksemburg, Spanjë (189)

4. Austri, Danimarkë, Holandë, Suedi (188)

5. Francë, Irlandë, Portugali, Mbretëria e Bashkuar (187)

6. Belgjika, Zelanda e Re, Norvegjia, Zvicra, Shtetet e Bashkuara (186)

7. Australi, Kanada, Republika Çeke, Greqi, Maltë (185)

8. Hungaria (183)

9. Lituani, Poloni, Sllovaki (182)

10. Estonia, Letonia, Sllovenia (181)

Pasaportat më të këqija për të mbajtur

Disa vende në mbarë botën kanë akses pa viza ose viza në momentin e mbërritjes në më pak se 40 vende. Kjo perfshin:

105. Koreja e Veriut (39 destinacione)

106. Nepali dhe territoret palestineze (37)

107. Somali (34)

108. Jemeni (33)

109. Pakistan (31)

110. Siri (29)

111. Irak (28)

112. Afganistan (26)

Kategoritë
BotaLajme