Cili do të jetë roli i Arben Vitisë pas humbjes? Përgjigjet Kurti

Kryeministri Albin Kurti nuk e sheh se është e nevojshme të vendoset shpejt se cili do të jetë pozicioni dhe angazhimi i ri i Arben Vitisë, i cili të dielën humbi garën për t’u bërë kryetar i Prishtinës, raporton Gazeta Express.

Në konferencën për media ku u prezantua ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, Kurti tha se Vitia vazhdon të jetë kryetar i qendrës së LVV-së në Prishtinë dhe anëtar i Kryesisë së partisë.

“Së pari, Dr. Arben Vitia është kryetari i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, është anëtar i Kryesisë. Ai ka qenë person tejet i njohur edhe në opinionin publik edhe para se të jetë ministër i Shëndetësisë, e posaçërisht në këto dy vitet e fundit”, tha Kurti.

Ai tha se angazhimi i ardhshëm i Vitisë do të varet edhe nga planet që i ka ai.

“Se cilat do të jenë angazhimet e tij në të ardhmen, unë nuk mendoj se ka ndonjëfarë nxitimi që të vendosim tani. Kjo natyrisht bëhet varësisht prej planeve që i ka edhe vetë Z. Vitia”, tha Kurti.

Opozita ka fituar në shumicën e komunave të Kosovës në zgjedhjet lokale. Në kryeqytet, arkitekti Përparim Rama erdhi nga Londra për ta zhvlerësuar kartën e rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitinë, për të cilin partia e kryeministrit Albin Kurti, dhe vetë ai, ishin të bindur se do të fitonte qysh më 17 tetor, bile pa bërë shumë fushatë.

Pas humbjes, Vitia doli në konferencë për media ku e uroi Përparim Ramën. Urimet ia përcolli edhe përmes telefonit.

Kategoritë
LajmeVendi