Çollaku: Ngritja e nivelit të përfaqësimit në mbledhjet e OKB-së ku raportohet për Kosovën është i dëmshëm

Ish-ministri i Integrimeve Europiane Bekim Çollaku nëpërmjet një postimi në Facebook ka kritikuar mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB’së që janë rrjedhojë e Rezolutës 1244 duke thënë se është e padobishme e gjithashtu ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj këtyre mbledhjeve.

Çollaku ka thënë se Kosovapër vite me radhë është koordinuar me partnerët strategjikë për të reduktuar frekuencën dhe rëndësinë politike të këtyre takimeve.

Ai ka deklaruar se strategjia ka qenë ulja e nivelit të përfaqësimit në takime të cilat ai i quan “monotone dhe të padobishme për Kosovën.

Ish-ministri Çollaku ka kritikuar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës se po e bëjnë të kundërten duke marrë pjesë në këto takime duke thënë se UNMIK-u po riaktualizohet dhe po kthehet në skenë politike si akter.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, prandaj edhe mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën si rrjedhojë e Rezolutës 1244, janë krejtësisht irelevante dhe të padobishme. Pikërisht për këtë arsye, Kosova dhe partnerët e saj strategjikë ndërkombëtarë, për vite të tëra kanë bashkërënduar punën për ta reduktuar frekuencën dhë rëndësinë politike të këtyre takimeve. Në shërbim të këtij qëllimi, kemi pasur një strategji të qartë që nënkuptonte uljen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në këto takime monotone dhe të padobishme për Kosovën. Kurse tani, me pjesëmarrjën e tyre në këto takime, udhëheqësit e institucioneve tona shtetërore janë duke e bërë krejtësisht të kundërtën. Çfarë është edhe me keq, tani edhe UNMIK-u po riaktualizohet dhe po rikthehet në skenë politike si akterë. Kjo qasje është jo vetem për keqardhje, mirëpo është tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për shtetin tonë.”, tha ai.

Kategoritë
LajmeVendi