Çollaku për Raportin e KE-së: Reformat për integrim në BE kanë stagnuar, në disa fusha kemi edhe kthim mbrapa

Raporti i Progresit i publikuar dje nga Komisioni Evropian në mënyrë të detajuar ka treguar ngecjet në shumicën e fushave.

Kështu tha në një intervistë për Klankosova.tv Bekim Çollaku, ish-Ministër i Integrimit Evropian.

Çollaku tha se në disa fusha tash e dy vite ka pasur stagnim e në disa fusha të tjera edhe kthim prapa.

Ai flet edhe për Vettingun për të cilin mekanizëm thotë se qeveria nuk është koordinuar me Bashkimin Evropian, duke shtuar se kjo shihet nga qëndrimi qartë kundërshtues që mban Raporti për Kosovën për mënyrën e zgjedhur të këtij verifikimi.

“Publikimi i djeshëm i Raportit për Kosovën nga Komisioni Evropian ka vërtetuar atë që tanimë e dimë që një kohe të gjatë: Reformat e nevojshme për integrim të vendit në Bashkim Evropian kanë stagnuar e në disa fusha kemi edhe kthim mbrapa”.

“Raporti evidenton në mënyrë të detajuar ngecjet në shumicën e fushave që ai adreson. Nga administrata publike, gjyqësia e deri tek reformat e nevojshme për sigurimin e një ekonomie të tregut në vendin tonë në dy vitet e fundit nuk është arritur progres i kënaqshëm. Ajo që është më brengosëse është fakti që iniciativat e reja dhe shumë të proklamuara të qeverisë aktuale, siç është rasti me procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, nuk janë koordinuar me Bashkimin Evropian. Kjo është evidente nga qëndrimi qartë kundërshtues që mban Raporti për Kosovën për mënyrën e zgjedhur të Vettingut nga ana e qeverisë”.

Ish-ministri i Integrimit Evropian thotë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave qysh në vitin 2016 dhe se Bashkimi Evropian po i mban padrejtësisht të izoluar kosovarët.

Çollaku theksoi se qeveria kosovare duhet të jetë këmbëngulëse tek shtetet që po e bllokojnë këtë vendim.

“Raporti vërteton atë çfarë e kemi thënë në vazhdimësi se kriteret për liberalizim të vizave janë përmbushur në vitin 2016 kur është dhënë rekomandimi zyrtar për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe është rikonfirmuar përsëri në korrik të vitit 2018. Në këtë çështje problemi qëndron tek Këshilli i BE-së i cili nuk po e merr vendimin përfundimtar në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian. BE-ja po vazhdon të diskriminojë kosovarët duke i mbajtur padrejtësisht të izoluar. Është fatkeqësi që përmbyllja e këtij procesi nuk ka ndodhur ende, dhe qeveria aktuale duhet të jetë këmbëngulëse në kërkesën e saj tek shtetet që po e bllokojnë këtë vendim. Kosova e ka kryer punën e vet në këtë proces shumë vite më parë, por BE është duke u vonuar në pafundësi”.

Kërkesën e përmendur në këtë raport për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Çollaku e sheh si kërkesë për zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sigurisht që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë rezulton në këtë raport jo vetëm si kërkesë e Serbisë, mirëpo edhe si kërkesë e BE për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kategoritë
LajmeVendi