Daçiq: Pa Rusinë, zor se do ta ruajmë Kosovën

“Interesi primar i Serbisë është të ruajë integritetin e saj territorial dhe sovranitetin, dhe pa Rusinë, zor që Serbia mund ta ruajë pozicionin e saj në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Ivica Daçiq, lider i Partisë Socialiste të Serbisë.

Në një deklaratë të mërkurën në mbrëmje për “Tanjugun”, Daçiq ka thënë se nëse Moska është krah Beogradit, Rusia mund të vërë veto dhe të bllokojë hyrjen e Kosovës në OKB.

“Ne duhet të shmangim qasjen iracionale dhe emotive për situatën aktuale. Nëse jemi të gatshëm të tërhiqemi për Kosovën, duhet t’i vëmë sanksione Rusisë. Por nëse s’jemi gati, s’mund ta bëjmë. Si do ta mbrojmë Kosovën pa një aleat? Nuk kam vënë re se ‘kemi fituar aleat të ri’. Sanksionet ndaj Rusisë nuk do ta dëmtojnë Rusinë, por Serbinë. Rusia ‘u mbijetoi’ sanksioneve të Malit të Zi, e do t’u mbijetonte edhe atyre të Serbisë”, ka thënë Daçiq.

Duke folur për moslejimin e organizimit të zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, Daçiqi ka thënë se “nëse Perëndimi s’mund të bëjë asgjë kundër Kurtit, si mund të bëjë Serbia?”

Sipas tij, Serbia mund t’i organizojë zgjedhjet në Kosovë, por kjo do “të mund të shfrytëzohej si alibi nga pala kosovare për të vënë në aksion Policinë, ndërsa Beogradi do të akuzohej”.

Ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se nuk i respekton as marrëveshjet e Brukselit e as komunitetin ndërkombëtar.

Serbia bashkë me Bjellorusinë janë të vetmet vende evropiane që s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Kategoritë
LajmeRajoni