Dalin pamjet nga aksidenti me 8 viktima, ky është momenti kur rrëzohet aeroplani në Milano

Mediat në Itali kanë publikuar pamje nga rrëzimi i një avioni privat, në të cilin po udhëtonin tetë persona. Si pasojë e përplasjes, asnjë prej tyre nuk mbijetoi. Nga pamjet duket mjeti fluturues që humbet lartësi në mënyrë shumë të shpejtë e më pas rrëzohet sipër godinës që po rindërtohej.

“Përse devijove? Për të shmangur turbulencat?” Kjo ishte pyetja e fundit që iu bë përmes radios nga Qendra e Kontrollit në Linate, pilotit të aeroplanit që u përplas në San Donato, Milano.

Përgjigja e pilotit ishte një “jo” e menjëhershme. Disa sekonda më pas, mjeti fluturues u zhduk nga radarët.

Në orë 13.07, tre minuta pas ngritjes nga pista, aeroplani privat devijoi nga rruga që duhej të ndiqte dhe nisi të humbte lartësi me nga 25 deri në 30 metra në sekondë.

Ndërkohë, hetimet janë duke vijuar për të zbuluar se çfarë nuk shkoi mirë.

Siç raportohet nga Corriere della Sera, aeroplani i drejtuar nga 68-vjeçari Dan Petresku u zhduk nga radarët pa asnjë alarm dhe pa kërkuar që të kthehet në aeroport si urgjencë. Në atë moment moti në San Donato ishte me shi dhe re të ulëta. Mjeti fluturues humbi lartësinë për 16 sekonda derisa u rrëzua duke u marrë jetën 8 personave në bord.

Kategoritë
BotaLajme