Danimarka vazhdon pezullimin e vaksinës, nuk përjashton lidhjen e saj me mpiksjen e gjakut

Danimarka ka vendosur që ta zgjasë edhe për tri javë pezullimin e përdorimit të vaksinës së AstraZeneca-s për Covid-19, përderisa po vazhdon ta vlerësojë atë, duke thënë se lidhja mes vaksinës dhe mpiksjes së pazakontë të gjakut nuk mund të përjashtohet.

Tanja Erichsen nga Agjencia Daneze e Ilaçeve tha se vendimi është marrë duke u mbështetur në efektet anësore të supozuara. Danimarka e pezulloi përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s dhe Unviersitetit të Oksfordit më 11 mars.

Vendimi erdhi pas raporteve për vdekjen e një gruaje 60-vjeçare me disa vende të mpiksjes së gjakut në trup një javë pasi e mori këtë vaksinë, shkruan The Guardian.

Pak kohë pas këtij rasti, në Danimarkë u raportua edhe vdekja e një personi tjetër, i cili gjithashtu e kishte marrë vaksinën e AstraZeneca-s. Sidoqoftë, autoritetet daneze kanë thënë se nuk ka dëshmi që vaksina ishte shkaktare e ndonjërës prej këtyre vdekjeve.

“Do të doja të theksoj se nuk jam duke folur për mpiksjen e zakonshme të gjakut. Nuk ka të bëjë me mpiksjen e gjakut në duar, këmbë dhe mushkëri. Nuk mund të përjashtohet mundësia që të ketë një lidhje mes vaksinës dhe rasteve shumë të rralla të mpiksjes”, tha Erichsen.

Pezullimi i përdorimit të kësaj vaksine në Danimarkë do të mbetet në fuqi të paktën deri më 18 prill. Edhe Norvegjia dhe Suedia e kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine. Disa shtete evropiane që më parë kishin marrë të njëjtin vendim, si Gjermania, Italia e Franca, e kanë vazhduar përdorimin e vaksinës, pasi rregullatori evropian e cilësoi atë të sigurt dhe efektive.

Kategoritë
BotaLajme