Dënohet me burgim të përjetshëm Bajram Veliaj për vrasjen e bashkëshortes në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren sot e ka dënuar me burgim të përjetshëm Bajram Veliajn për vrasjen e bashkëshortes së tij, Armenda Aliu Veliaj.Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Raima Elezi, ka arsyetuar dënimin e shqiptuar.

“Gjykata nuk e ka pranuar mbrojtjen e të akuzuarit se në momentin kritik i është shfaqur një katror i zi, sepse nga raporti i ekspertëve nuk është gjetur ç ‘rregullim apo ndonjë sëmundje e natyrës së shkurtër apo tronditur në momentin e kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë.
Gjatë marrjes së vendimit trupi gjykues ka vlerësuar rrethanat, dhe si rrethana rënduese ka marrë parasysh rrezikun e lartë shoqëror të veprës penale, mënyrën e sjelljes së të akuzuarit pas vrasjes së rëndë ku me gjakftohtësi e mbulon viktimën dhe pret ardhjen e Policisë, dhe intensitetin e rëndë të dhimbjes së familjes së dëmtuar”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata ka dhënë edhe detaje se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja tragjike.
Sipas komunikatës, pasi i akuzuari e kishte vrarë bashkëshorten e kishte mbuluar me fustanin e saj dhe e kishte pritur ardhjen e policisë.
“Me datë 06 gusht 2019, rreth orës 23:18 minuta në Prizren, i pandehuri B.V., me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij A.A.-V., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake që e kishte me bashkëshorten e tij, tash të ndjerën A.A.-V., e në momentin kur ajo largohet nga shtëpia, i pandehuri pajiset me një pistoletë të tipit “Pietro Beretta Gardone” model 92 PS, e kalibrit 9 X 19mm, dhe del nga shtëpia e tij, e në momentin kur e vëren viktimën – bashkëshorten e tij A….., i afrohet asaj, e drejton pistoletën në drejtimin e saj, shtënë 15 herë në drejtimin e saj, me ç ‘rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit duke filluar nga koka, qafa, gjoksi e deri në këmbë, nga goditja e predhave viktima rrëzohet për toke, dhe nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarje, ku pastaj i pandehuri viktimën e mbulon me një fustan të saj dhe e pret ardhjen e Policisë”, thuhet në komunikatë.
Kategoritë
LajmeVendi