Dëshmitari në rastin e vrasjes së Ivanoviqit frikësohet të flasë për grupet kriminale në veri

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës nga veriu po dëshmon në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ç.I., i cili u plagos vetë në vitin 2014 nga persona të panjohur dhe të maskuar tha se nuk e njeh askënd në mesin e të akuzuarve.

Ai u pyet nëse ka ndonjë grup kriminal në veri të Kosovës. Dëshmitari pohoi, por nuk tregoi më shumë, me arsyetimin se nuk e di se kush i drejton ato grupe kriminale. Ai refuzoi të flasë për emrat e drejtuesve të grupeve kriminale për arsye sigurie.

Dëshmitari tha se e njihte Oliver Ivanoviqin për 30 vjet dhe se ishin miq. Ai thotë se pas lirimit të Ivanoviqit nga paraburgimi, ata ishin parë herë pas here. Ai po ashtu tha se Ivanoviqi e dinte se ishte në rrezik dhe se për këtë i kishte njoftuar autoritetet kompetente në Beograd dhe Prishtinë, shkruan portali KoSSev.

Në kohën e vrasjes së Ivanoviqit, ai tha se ishte në punë në pjesën jugore të Mitrovicës.

Ai tha se Oliveri ishte një burrë i madh dhe i fortë që kishte shumë informacion, por ishte “i mbyllur” dhe nuk fliste shumë për sigurinë e tij.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicë. Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara akuzohen për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Kategoritë
LajmeVendi