Detaje rreth gjetjes së një mbetje mortore në Prizren

Gjatë gërmimeve për të hapur një varr në varrezat myslimane në lagjen “Tusus” të Prizrenit nga punëtorët për hapjen e varrezave, është rastisur në një mbetje mortore të mbështjellë me rroba dhe batanije e për të cilën nuk dihet nëse i takon periudhës së luftës së fundit në Kosovë.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë se në lidhje me këtë rast është herët të tregohen hollësitë, derisa shton se janë duke pritur konfirmimin e mjekësisë ligjore për të përcaktuar periudhën të cilës i takojnë këto mbetje mortore.

“Dje jemi njoftuar nga mjekësia ligjore dhe policia për hetimin e krimeve të luftës për gjetjen e eshtrave në hapësirat e varrezave të qytetit të Prizrenit saktësisht në lagjen “Tusus”. Është e rëndësishme të përmendet fakti, se dje në mëngjes ka dalë lajmi se është hasur në eshtra dhe gjatë ditës një trajtim me shumë prioritet, ekspertët ligjorë, instituti i mjekësisë ligjore, por edhe kolegë nga sektori i hetimeve për lirime të luftës e kanë hetuar rastin për shkak të ndjeshmërisë dhe kuptohet për shkak të familjareve. Eshtrat janë dërguar për ekzaminimet e mëtutjeshme në institutin e mjekësisë ligjore. Është herët të dihen hollësitë për këtë rast derisa të përfundojnë ekzaminimet e hollësishme të mjekut ligjor, përfshirë edhe konfirmimin nëse këto eshtra iu përkasin viktimave te luftës dhe më pas te procedurat e identifikimit siç kanë qenë më parë”, ka thënë ai.

Gara thotë se hapësira e varrezave të qytetit të Prizrenit është trajtuar në vazhdimësi përgjatë viteve të fundit, por deri në përfundim të hetimit të këtij rasti do të duhen disa ditë.

“Hapësira e këtij lokacioni, pra hapësira e varrezave të qytetit të Prizrenit në lagjen “Tusus” është trajtuar në vazhdimësi gjatë viteve të pasluftës, për shkak se jo vetëm kjo hapësirë ose ky lokacion, por edhe hapësira apo lokacione të tjera, si varrezat e qytetit të Prishtinës në lagjen “Arbëria”, varrezat e qytetit të Mitrovicës ose varrezat e besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës, varrezat në qytetin e Pejës dhe në qytete të tjera janë përdorur nga forcat serbe gjatë luftës për fshehjen e kufomave të viktimave të luftës, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit. Në raste të tilla gërmimet organizohen me shumë kujdes për të evituar çdo gabim të mundshëm gjatë procesit të zhvarrimit… Në rast se mbetjet mortore të zhvarrosura i përkasin ose ndërlidhen me luftën e fundit, do të procedohet tutje që varësisht prej identifikimit ato t’i rikthehen familjeve për rivarrim, qoftë disa ditë, të mos them disa javë kohë, deri në përfundim të plotë të një procesi të tillë”, tha ai.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk dihet ende për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të zhdukur.

Kategoritë
LajmeVendi