Diplomatët amerikanë kthehen për herë të parë në Kiev që nga fillimi i agresionit rus

Kryediplomatja amerikane në Ukrainë, Kristina Kvien dhe ekipi i saj mbërritën në Kiev të dielën, thanë zyrtarët amerikanë

Vizita vjen pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken premtoi muajin e kaluar gjatë një vizite në Kiev rihapjen së shpejti të ambasadës amerikane në kryeqytetin ukrainas.

Lëvizja është hapi i fundit drejt rifillimit të aktivitetit të plotë të SHBA-së në Kiev pasi diplomatët filluan të kthehen në qytetin perëndimor Lviv muajin e kaluar. Ata ishin larguar nga vendi përpara fillimit të agresionit të Rusisë më 24 shkurt për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Vizita që po bëhet të dielën për të përkuar me Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore, është e përkohshme dhe nuk sinjalizon rihapjen e ambasadës, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Rusia feston të hënën humbjen e Gjermanisë naziste në vitin 1945 dhe fundit e Luftës së Dytë Botërore.

Sekretari Blinken bisedoi me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba të dielën dhe e informoi atë se një grup i vogël i udhëhequr nga e ngarkuara me punë Kvien “shkoi në Kiev për angazhime diplomatike përpara rifillimit të planifikuar të aktivitetit të Ambasadës në Kiev”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ekipi është delegacioni i parë i administratës së presidentit Biden që viziton kryeqytetin e Ukrainës që kur filloi sulmi rus, përveç vizitës së zotit Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin.

“Sekretari i tha ekipit të tij dhe ministrit të Jashtëm Kuleba se kthimi ynë në Kiev është një dëshmi e suksesit të Ukrainës, dështimit të Moskës dhe partneritetit tonë efektiv dhe të qëndrueshëm me qeverinë dhe popullin e një Ukraine sovrane, demokratike dhe të lirë,” tha zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit. /VOA/

Kategoritë
BotaLajme