Diplomatët e disa vendeve muslimane mblidhen në New York përpara seancës së AP-OKB për Palestinën

Ministri i Jashtëm pakistanez Qureshi tha se e gjithë bota muslimane është indinjuar për përdorimin e forcës pa kriter dhe disproporcionale të Izraelit kundër palestinezëve të pafajshëm.

Diplomatët e lartë të disa vendeve muslimane u mblodhën në New York të mërkurën përpara takimit të sotëm të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi situatën në Palestinë.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi organizoi një darkë pune, në të cilën morën pjesë ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, ministri i Jashtëm i Palestinës, Riad Al-Malki, ministri i Jashtëm i Tunizisë, Othman Jerandi, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Volkan Bozkir dhe të dërguarit e vendeve të OBI-së në OKB, thuhet në një deklaratë të misionit të Pakistanit në OKB.

Duke folur me këtë rast, Qureshi tha se e gjithë bota muslimane është indinjuar për përdorimin e forcës pa kriter dhe disproporcionale të Izraelit kundër palestinezëve të pafajshëm.

“Ai (Qureshi) përsëriti dënimin më të ashpër të mundshëm të Pakistanit për sulmet e qëllimshme dhe sistematike të Izraelit kundër besimtarëve palestinezë në Xhaminë Al-Aksa gjatë muajit të Ramazanit; shkelja e shenjtërisë së vendeve të shenjta; politikat e saj të zgjerimit të vendbanimeve të paligjshme; si dhe dëbim i detyruar i palestinezëve dhe shkatërrim i shtëpive të tyre pa u ndëshkuar”, thuhet në deklaratë.

Qureshi gjithashtu shprehu mirënjohje për të gjitha vendet e OBI-t, të cilët së bashku me Pakistanin, luajtën një rol proaktiv në thirrjen e takimit të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Shpresoj që takimi i posaçëm i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të ndihmojë dërgimin e një mesazhi të fortë në emër të OBI-t komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar në përfundimin e agresionit izraelit dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për të gjetur një zgjidhje për çështjen palestineze”, tha ministri pakistanez.

Të paktën 227 palestinezë janë vrarë, përfshirë 64 fëmijë dhe 38 gra ndërsa 1.620 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji. Në shënjestër të sulmeve kanë qenë qendrat shëndetësore, zyrat e medias dhe lagjet e banuara.

Tensionet që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve në kompleksin e xhamisë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.

Kategoritë
BotaLajme