Djegia e veturës së deputetit Bajqinovci, Prokuroria: Ndodhi për shkak të defekteve në sistemin elektrik

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm ka njoftuar lidhur me rastin e djegies së veturës së deputetit të LVV-së, Mefail Bajqinovci që kishte ndodhur më 22 shkurt të këtij viti.

Prokuroria përmes një njoftimi për media ka thënë se lidhur me këtë rast, prokurorja e çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, me qëllim të sqarimit të rrethanave rreth këtij rasti. Me urdhër të njëjtës është bërë super ekspertizë rreth shkakut të zjarrit të automjetit në fjalë.

“Pas ekzaminimit të hollësishëm nga grupi i ekspertëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është konstatuar se deri te shpërthimi i zjarrit në këtë automjet ka ardhur si pasojë e defekteve në sistemin elektrik të furnizimit me rrymë elektrike. Problemet në sistemin elektrik kanë ardhur si pasojë e lidhjes së shkurtë izoluese të shtesës mbrojtëse të përçuesve (vjetërsia e kabllove elektrike)”, thuhet në njoftim.

Kategoritë
LajmeVendi