“Do ta çojmë në një nivel tjetër turizmin”, Rama: Më 28 nëntor nis puna për aeroportin e Vlorës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi nga foltorja e Kuvendit gjatë prezantimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, se synohet që turizmi i vendit të ngrihet në një tjetër nivel me investimet e nisura dhe ato që janë ende në letër, por që do të fillojnë së shpejti.

Kreu i qeverisë shqiptare ftoi të gjithë deputetët e Vlorës që të bashkohen në nisjen e punimeve për aeroportin e ri më 28 nëntor dhe sipas tij për pak javë nis dhe puna për portin turistik të këtij qytetit.

“Për pak nisim aeroportin e Vlorës më 28 nëntor. Është një ngjarje e rëndësishme dhe fundi i një kalvari të gjatë që nuk varej nga ne. Brenda pak javësh fillon puna për portin turistik të Vlorës. Investim që do e çojë në një tjetër nivel turizmin dhe do të krijojë një zinxhir të ri në ekonominë e Vlorës dhe të vendit. Uroj të përfundojmë dhe lidhjen e kontratës për portin e Durrësit. Në Sarandë, puna për portin e ri ka filluar, ndërkohë që gara për aeroportin është e hapur. Të gjitha këto janë të lidhura dhe me investimet në infrastrukturë. Të gjitha investimet synojnë jetëzimin e të gjitha pikave ku potenciali turistik është i lartë në të gjitha zonat”, tha Rama./A2

Kategoritë
LajmeRajoni