Dodik: Republika Srpska nuk duhet të ndahet nga çështja e Kosovës

Anëtari serb i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka deklaruar se “Republika Srpska” nuk duhet të ndahet nga çështja e Kosovës.

Po ashtu ai theksoi se i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar nuk e vizitoi Bosnjën për të kërcënuar me sanksione.

“Ai po përpiqet ta qetësojë situatën, të gjejë disa zgjidhje dhe pastaj të kthehet për një kohë për të provuar një dakordim për diçka”, tha Dodik për Tanjug.

Madje një nga deklaratat kyçe të tij pas takimit që pati me Gabriel Escobar ishte se nuk do të ketë luftë në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Sigurisht që nuk ka luftë. (Përfaqësuesi i Lartë Christian) Schmidt po gënjen. Nuk do të ketë luftë këtu. Askush nuk ka potencial, as nuk mund të fitojë askush. Askush nuk dëshiron dhe nuk është i interesuar për këtë. Kjo është luftë politike për interesat”, deklaroi Dodik.

Milorad Dodik tha se çështja e Republika Srpskas nuk duhet të ndahet nga çështja e Kosovës.

“Të gjithë mund të largohen, vetëm ne nuk lejohemi, lejohen të ikin shqiptarët, Kurti dhe historia e bashkimit me Shqipërinë, Rama gjithashtu, dhe si do të ishte të thosha që jam pro largimit nga BeH dhe bashkimit me Serbinë dhe se Vuçiq e mbështet atë. Do të ishte një shthurje në rajon.Serbia pavarësisht nga politika ka prioritete të qarta, në kuptimin shtetëror, e kjo është ruajtja e tërësisë territoriale, por për çështjen kombëtare është RS, sepse këtu ka 1.1 milionë serbë”, theksoi Dodik.

Deklarata e Dodik së fundi vjen edhe si kundërpërgjigje ndaj eurodeputetes dhe raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e cila deklaroi se Kosova dhe Republika Srpska nuk duhet të krahasohen apo të lidhen në asnjë mënyrë të vetme.

Kategoritë
LajmeRajoni