Dodiku pas takimit me Escobarin: S’e kam pasur opsion luftën në asnjë moment

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, pas takimit me Zëvendësnihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit dhe të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se biseda ka shkuar mirë, raporton gazeta boshnjake, Avaz.

Dodik tha se as ai dhe as askush tjetër në Republikën Srpska nuk e ka pasur luftën opsion.

“Ne sqaruam disa nga pyetjet tona që nuk ishin të qarta dhe të sakta. Këto biseda kishin disa tema. E para prej tyre është atmosfera e nxehtë që lidhet me përmendjen e vazhdueshme të disa mundësive të konfliktit dhe luftës. Ai dhe unë thamë se kjo është një temë që nuk ka bazë reale. Se është folur apo është diskutuar nga ata që kanë dashur ta thellojnë atmosferën e mosbesimit, dhe se në këtë drejtim është absolutisht e qartë se as unë dhe as askush nga RS nuk e kemi pasur luftën opsion në asnjë moment”, tha Dodik.

“Ne jemi dakord që stabiliteti dhe paqja duhet të ruhen. Unë thashë që të gjithë ata që tundin armët duhet t’i nënshtrohen sanksioneve ndërkombëtare”, shtoi ai.

Dodik u shpreh se i ka thënë Escobarit se “nuk kishim ndërmend të cenonim integritetin territorial”, transmeton Express.

“Është shumë e rëndësishme të dihet se forcat e armatosura të BeH nuk mund t’i plotësojnë kuotat për serbët dhe kroatët siç është planifikuar, njerëzit nuk do të shkojnë në atë ushtri. Ne nuk duam që këto pozita të plotësohen nga boshnjakët dhe një ditë të kemi një “ushtri myslimane”. Ia thashë Escobarit të gjitha këto”, tha Dodik.

Ai po ashtu tha se janë diskutuar çështjet ekonomike dhe çështja e “Ballkanit të Hapur”, dhe ka theksuar se është avokat i kësaj dhe se e ka theksuar këtë në takim me të dërguarin amerikan.

“Nuk kam pse të mos e mbështes atë çështje, ajo është kyçe në politikën tonë”, tha Dodik.

Ai tha se ishte i kënaqur me takimin.

“E kemi përjashtuar mundësinë e një opsioni lufte, e përsëris. Më vjen mirë që shoh vendosmërinë se Amerika është ajo që do ta eliminojë çdo mundësi lufte. Do të ishte mirë që BeH të çmilitarizohej dhe të përjashtohej çdo mundësi e përqendrimit të armëve”, theksoi Dodik.

Dje, Dodik tha se i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar “ka ardhur kot”, nëse mendon se ai është shkaktari i krizës në Bosnjë.

“Nëse nuk ndryshon optikën dhe shikon faktet që janë të dukshme, atëherë ai vetë do të kontribuojë në atrofinë e vendit, të cilin amerikanët, përmes Përfaqësuesve të Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, e kanë modeluar të gjitha vitet e mëparshme sipas dëshirës së myslimanëve”, është shprehur Dodik.

Pas bisedës telefonike muajin e kaluar, Dodik kishte thënë se Escobari është “i etur për sanksione”. Ka kohë që përmendet mundësia që Dodik të sanksionohet për bllokimin e punës së institucioneve shtetërore dhe për shpalljen e kalimit të disa kompetencave shtetërore në Republikën Srpskan, duke mos hequr dorë nga qëllimi i tij për ta ndarë Bosnjën.

“Nuk do të ketë luftë të re në BeH”, tha të premten i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, duke akuzuar anëtarin serb të Presidencës së BeH, Millorad Dodik se ka provokuar një krizë për ta mbuluar përfshirjen e tij në korrupsion.

Kategoritë
LajmeRajoni