Dubai prodhoi shiun e vet artificial

Në Dubai, ku temperaturat e ajrit kanë shkuar deri në 50 gradë Celcius, dronët kanë krijuar shi artificial.

Në qytetin e Dubait të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), i cili merr mesatarisht vetëm 78 milimetra reshje në vit dhe është ndër 10 vendet më të thata në botë, Qendra Kombëtare e Meteorologjisë ka prodhuar shi artificial.

Shiu u krijua nga elektroshoku i reve me dronë.

Në videon e lëshuar nga Qendra Meteorologjike, në rajonin ku u aplikua teknologjia duken imazhet e shiut të dendur dhe automjetet në autostradë që përparojnë me vështirësi për shkak të dobësimit të shikueshmërisë.

Metoda, e njohur si ‘mbjellja e reve’, lejon që pikat e ujit në re të kombinohen për të formuar reshje si rezultat i energjisë elektrike që u përcillet reve nga dronët.

Studimi, i cili synon të krijojë shi të rrëmbyeshëm duke stimuluar retë, është kryer në bashkëpunim me ekspertë nga Universiteti “Reading” në Angli.

Kategoritë
BotaLajme