Duda Balje kërkon ndryshimin e udhëzimit administrativ i cili ndalon mbajtjen e shamive në shkolla

Deputetja Duda Balje sot në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar që të ndryshohet udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që ndalon bartjen e shamisë në hapësira shkollore.

“Është për të ardhur keq dhe kundër të gjitha rregullave, t’u kërkohet vajzave të bëjnë një zgjedhje midis fesë së tyre dhe rolit të tyre në shoqëri apo institucion arsimor. Kjo është pikërisht e kundërta se si duhet të funksionojë shoqëria dhe shteti”, ka deklaruar Balje.

Për këtë udhëzim administrativ kishte pasur ankesa edhe nga institucionet tona fetare dhe hoxhallarë të ndryshëm.

Deklarata e plotë e saj:

Ndryshoni udhezimin administrativ te MASHT-it 06/2014

Detyrimi për të mbajtur shami, si dhe ndalimi i mbajtjes së shamisë “I privon gratë myslimane nga e drejta për të vendosur vetë”.

Pra, është e ndaluar të urdhërohet mbulimi i kokës, por gjithashtu nuk mundet të urdhërohet një vajzë ose një grua të mos mbulojë kokën.

Ky është aspekti filozofik i Islamit, sipas të cilit të gjitha vendimet në fe duhet të jenë produkt i vullnetit të lirë.

Pikërisht për shkak të gjithë kësaj, dhe për sa i përket të drejtave kushtetuese dhe ligjore në vend, është e rëndësishme të dini se si të bëni një dallim në mes të “drejtës absolute dhe asaj të kufizuar”

“E drejta absolute” është një e drejtë që shteti nuk mund ta kufizojë ligjërisht në asnjë mënyrë: për shembull, e drejta për jetën; liria e mendimit, liria e besimit dhe e fesë.

Kategoritë
LajmeVendi