Duke ecur me dy fëmijët e saj, qentë endacakë i vërsulen një gruaje në kampusin e UP-së

Një grua është sulmuar nga qentë endacakë në afërsi në kampusin e Universitetit të Prishtinës rreth orës 16, të enjten.

Ajo ishte duke ecur me dy fëmijët e saj derisa u sulmua nga një llavë e qenve. Shenjat e gjakut kanë vazhduar të vërehen edhe një orë pasi ndodhi kjo ngjarje në hapësirën në mes të objektit të Fakultetit të Muzikës dhe atij të Juridikut.

Rastin e ka konfirmuar edhe mjeku kujdestar i Emergjencës, Naser Syla.

“Është pranuar një rast si viktimë e sulmit të qenve endacakë me një plagë në regjionin krural të majtë. Plaga është përpunuar dhe është para përfundimit të trajtimit në qendrën emergjente. Kështu që gjendja është stabile, por është një plagë e shkaktuar nga qentë endacakë në këmbën e majtë. Për fat të keq ajo kishte qenë së bashku me dy fëmijë në shëtitje e sipër, por fëmijët për fat kanë shpëtuar pa plagë”, ka thënë Syla.

Sipas Sylës, pas përfundimit të trajtimit, pacientja brenda ditës do të lirohet nga Emergjenca.

Kategoritë
LajmeVendi