Dy nga tre personat e therur në Obiliq në gjendje të rëndë shëndetësore

Tre persona janë plagosur me thikë sot si pasojë e një përleshje që ka ndodhur në Obiliq.

Mjeku kujdestar në Emergjëncë, Avdush Bajgora, ka bërë të ditur për lajmi.net se dy nga personat e plagosur janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa personi tjetër ka marrë plagë më të lehta.

“Tre të therur kanë qenë, dy prej tyre kanë qenë të plagosur më rëndë pasi që kanë qenë të plagosur në regjionin terakal. Njëri prej tyre ka hyrë menjëherë në operacion pasi që ka qenë në gjendje të rëndë dhe ka pasur gjakderdhje të madhe. Tash ka përfundu operacioni, pritet të hyjë në operacion edhe i plagosuri tjetër”, ka thënë Bajgora.

Policia e Kosovës në anën tjetër ka konfirmuar për lajmi.net se rasti ka ndodhur rreth orës 15:00, ku patrulla e policisë ka hasur në një përleshje fizike e cila ka ndodhë në sheshin e qytetit të Obiliqit.

Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, ka thënë se në këtë rast janë plagosur me mjete të mprehta tre persona dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor.

Policia është duke hetuar rrethanat lidhur me rastin

Kategoritë
LajmeVendi