Dyshime për manipulime, kërkohet hetim i votave të ardhura nga diaspora

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë kërkuar të hetohen votat të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, për shkak të dyshimeve se në ato vota mund të ketë pasur manipulime.

Fillimisht një gjë të tillë e kërkoi anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi.

“Një shqetësim që ka filluar të ngritët në opinion nga mediat lidhur me atë se çfarë në fakt ka ardhur nga diaspora lidhur me procesin pa paragjykua ligjshmërinë e organizimit të procesit zgjedhor në diasporë. Dyshimet që kanë filluar të ngritën duhet t’i paraprij një hetim i plotë nga KQZ-ja, dhe pastaj sekretariati të vie një raport mbi të gjeturat e asaj se cila është e vërteta e çështjeve të ngritura në opinion”, tha Gashi.

Ai shtoi se vetë fakti që 70% e votave nga diaspora në krejt Kosovën vijnë vetën nga tri komuna shumë të vogla është indikacion me shfaq atë që mediat sot e kanë ngritë, shkruan Telegrafi.

Për një hetim është pajtuar edhe anëtari i KQZ-së nga AAK, Ibrahim Selmanaj.

“Shfaqi shqetësimin edhe unë të votat e ardhura me postë. Hetimi i plotë dhe pastërtia e votës është treguesi më i mirë edhe për opinionin dhe votuesin. Të gjithë jemi këtu për ta mbrojtur votën. Duhet të ketë hetim nga vetë sekretariati”, tha Selmanaj.

Edhe Florian Dushi nga LDK pavarësisht që deklaroi se nuk duhet të merremi me spekulime, në fund u pajtua që të ketë verifikim të këtyre votave.

“Konsideroj se sekretariati e din kohën e numërimit të votave, nuk kam problem edhe nëse shtyhet. Ne si institucion nuk është mirë të merremi me spekulime që mund ti gjejmë në media. Shqetësimet i kemi pasur që në periudhën e regjistrimit të votuesve. Jam pro asaj që sekretariati të zhvilloj krejt çfarë duhet në kuptimin e hetimit dhe konfirmimit të atyre zarfeve që kanë ardhur nga jashtë”, tha Dushi, shkruan Telegrafi.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani ka thënë se i ka parë disa nga fletëvotimet që po ruhen në Ministrinë e Transportit dhe sipas tij duket qartë se një numër me të madh i ka shkruar i njëjti person, pasi është i njëjti shkrim.

“Kam qenë në Ministrinë e Transportit edhe i kam parë, duket qartë që disa nga këto fletëvotime të dhënat aty i ka plotësuar i njëjti person”, tha Elshani.
Ndërkaq edhe anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi tha se është pro hetimit të këtyre fletëvotimeve.

Siç tha Kurteshi, herën e kaluar në mbi 100 mijë persona të regjistruar, vetëm 300 kanë dalur se nuk kanë qenë personat që kanë aplikuar, apo nuk janë lajmëruar në telefon, ndërkaq kësaj radhe sipas Kurteshit në 3 mijë fletëvotime, po dalin mbi 100 të dyshimta.

Anëtari i LDK-së, Florian Dushi u shpreh se kjo çështje duhet të lihet në dorën e sekretariatit, sepse ata janë profesionistë.

“Nuk di çfarë lloj hetimi tjetër mundet me u bo, përveç si rasti i Istogut kur është bërë ankesa në PZAP. Problemi nuk është që ka lind tash, numri i madh nuk është që po na shqetëson sot. Edhe herën e parë, kanë ardh mbi 10 mijë fletëvotime, por nuk kemi pasur shqetësime të kësaj natyre”, tha Dushi.

Kategoritë
LajmeVendi