“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor, prioritet i politikës së jashtme të Gjermanisë”

“E ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është prioriteti kryesor i politikës së jashtme të Gjermanisë”, tha sot në Sarajevë ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor është prioriteti kryesor i politikës së jashtme të Gjermanisë, tha sot në Sarajevë ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një takimi me ministren e Jashtme të BeH-së, Bisera Turkoviq, ministrja e Jashtme gjermane tha se kishte planifikuar të vizitonte vendin që në fillim të mandatit të saj, sepse, siç tha ajo, e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor ishte prioritet qendror i politikës së jashtme të qeverisë gjermane.

“Nuk do ta mendoja kurrë se do të nisja këtë rrugëtim në një kohë kur paqja dhe stabiliteti në Evropë janë bërë çështje ekzistenciale. Erdha të dëgjoj, të zbuloj se çfarë pritshmërishë keni nga ne si evropianë. Solla një mesazh të qartë, Gjermania do të jetë këtu, në vendin tuaj, por edhe në Ballkanin Perëndimor do të jetë e pranishme, prandaj për herë të parë prezantuam të dërguarin special për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin”, tha Baerbock.

Ajo shtoi se po qëndron në BeH në një kohë kur Evropa po përballet me katastrofën e luftës, duke iu referuar situatës në Ukrainë.

“Jam e vetëdijshme se shumë njerëz këtu në BeH kur shohin fotot nga Kievi, Mariupoli, kujtojnë kohën e tmerrshme të viteve 90. Njerëzit e brezit tim, të cilët janë 40 vjeç, u detyruan të përjetojnë në moshën 10 vjeçare se si u vranë baballarët dhe vëllezërit, si u dhunohen nënat, motrat dhe të cilët e mbajnë këtë traumë gjithë jetën”, tha Baerbock duke shtuar:

“Një përvojë e tillë nuk është vetëm këtu në rajon, por ka përfshirë fuqishëm brezin tim në Gjermani, në aspektin politik dhe shoqëror. Ne të gjithë kemi dhe kishim miq të cilët aso kohe ikën në Gjermani dhe u bënë shokët tanë të shkollës. Ata e detyruan brezin tim politik të luftojë krimet e tmerrshme kundër njerëzimit, në mënyrë që të mos ndodhë më kurrë në Evropë”.

Ajo theksoi se Evropa është “një shtëpi” që duhet të sigurojë paqen dhe lirinë dhe se “luftërat ballkanike ishin një alarm për Evropën”.

Baerbock shtoi se pas sulmit rus ndaj Ukrainës, bota nuk është më e njëjta dhe falënderoi BeH-në që votoi në favor të rezolutës që dënon sulmin rus dhe u rreshtua me 141 vendet në mbarë botën.

“Kjo nuk na tronditi. Vepruam shpejt dhe me vendosmëri dhe së bashku me partnerët tanë rifokusuam politikat dhe veprimet tona. BE-ja dhe vendi im nuk kanë qenë gjithmonë aq aktiv në këtë rajon vitet e fundit sa duhet të ishin. Këtë do ta ndryshojmë. Prandaj kjo vizitë, e cila është e shkurtër, është vetëm fillimi”, tha Baerbock.

Ministrja gjermane iu referua edhe Ligjit Zgjedhor të BeH-së, duke theksuar se zgjedhjet demokratike dhe të ndershme janë të rëndësishme për çdo vend dhe dëshiron përmirësimin e integritetit të zgjedhjeve në BeH.

“Duam që ligji i ri zgjedhor të mos rrisë problemet elektorale të vendit. E rëndësishme është që zgjedhjet të mbahen sipas planit, në tetor. Nuk ka mbetur shumë kohë për marrëveshje”, tha Baerbock.

Kategoritë
LajmeRajoni