“E ka rrahur shpesh, u kthye te burri për shkak të fëmijëve”: Flet nipi i 48 vjeçares së vrarë në Skënderaj

Familja e L.Q., 48-vjeçare e cila u vra të mërkurën në Llaushë të Skenderajt, ka hapur të pamën në Burojë të Skenderajt.

Ajo pritet të varroset në vendlindjen e saj. Për rastin tragjik njëri nga nipërit e viktimës, ka thënë se ndaj saj është ushtruar dhunë shumë shpesh. Ai pohon se halla ishte kthyer në shtëpinë e burrit për shkak të fëmijëve.

Sipas Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i dyshuari pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.

Teksa flet për rastin nipi i viktimës thotë se për dhunën që burri ushtronte ndaj hallës së tij ishte në dijeni edhe policia.

“Neve na ka informu djali i axhës i cili është nip i tyre, na ka informu për rastin se ka vdekë halla. Halla jonë i ka tre fëmijë, te ajo është ushtru dhunë vitin e fundit shumë shpesh. Informatat i ka pas edhe policia kohën e fundit që ka ushtru dhunë kemi edhe dëshmi që herën e fundit kur ka pas problem halla jonë ka ardhë te ne, ka gjetë mbështetje te ne. Puna e fëmijëve e kemi kthy hallën edhe njëherë te burri, hallën ka ardhë me marrë me vëllezërit e tij, me dëshmitarë e kanë marrë”, tha ai.

“Herën e fundit nëse nuk gaboj, e ka raportu rastin në polici ditën e shtunë dhe policia s’besoj që janë marrë me rastin e kanë lënë të lirë dorasin”, tha ai tutje.

Ai tha se fëmijët e hallës së saj, dy djemtë dhe vajza janë në gjendje të rëndë emocionale.

“Fëmija janë në gjendje shumë të keqe emocionale”, u shpreh ai.

Sa i përket deklaratave të familjes së të dyshuarit se burri ka pasur kriza nervore, nipi i viktimës u shpreh: “Ai nuk ka pas kriza nervore, shumë shpesh i kemi ndihmu edhe me mjete materiale, por ka ushtru dhunë ndaj hallës sonë shumë shpesh”.

Ai tha se halla e tij do të varroset në vendlindje në Burojë të Skënderajt dhe se nga sot është hapur edhe e pamja.

“Varrimi pritet me u bë sonte në mbrëmje, orën nuk e dimë. Të pamën e kemi hapur”, u shpreh ai.

Policia Rajonale e Mitrovicës ka konfirmuar për Gazetën Express se gruaja që u vra dje në Llaushë të Skenderajt së fundmi e kishte lajmëruar dhunën në polici. Sipas tyre rasti ishte iniciuar si “dhunë në familje”, ndërsa ndaj të dyshuarit ishte proceduar kallëzim penal.

“Referuar pyetjes së juaj lidhur me rastin veprës penale ‘vrasje e rëndë” e ndodhur me datën 5 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, nga ana e viktimës L.Q., në cilësi të ankueses është raportuar një rast në Stacionin Policor Skenderaj i iniciuar ‘Dhunë Familje” rasti me kallëzim penal ndaj të dyshuarit S,Q., është proceduar në Prokurori”, thuhet në përgjigjen e policisë rajonale të Mitrovicës dhënë Gazetës Express.

Ndërsa, vëllai i të dyshuarit tha se shteti ka mundur ta parandalojë vrasjen e kunatës së tij, pasi shprehet se nëse vëllain do ta kishin futur në burg nuk do të ndodhte tragjedia.

“Ju kisha lutë me u marrë me gjyqësorin e prokurorinë që nuk i parandalojnë rastet po i lënë kur te bëhen, e pastaj thonë çka u bë, ata kanë mujt me parandalu. Nëse e kishin marrë vëllain tim ta kishin fut në burg 2-3 muaj, ai s’kishte pas shansë me i bë këto”, tha ai për Gazetën Express.

“E kanë mbajt 5 orë në stacion dhe e kanë lëshu”, tha ai.

Kujtojmë se krimi kishte ndodhur në sallonin e shtëpisë së çiftit dhe në vendin e ngjarjes ishin gjetur 6 gëzhoja plumbash. Nga i dyshuari policia kishte sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishekë.

Kategoritë
LajmeVendi