EBA konfirmon se ka pranuar ish-presidentin afgan Ashraf Ghani

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të vendit thuhet se vendi mirëpriti Ghanin dhe familjen e tij në “baza humanitare”

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) konfirmuan se kanë pranuar ish-presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani, si dhe familjen e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të vendit thuhet se vendi mirëpriti Ghanin në “baza humanitare”.

Më herët, mediat afgane raportuan se EBA i ofruan Ghanit një vendbanim pas “arratisjes” së tij.

Kryeqyteti Kabul ra në duart e talebanëve pasi qeveria afgane u rrëzua pas përparimeve marramendëse të talebanëve që e shtynë Ghanin të largohej nga vendi.

Kishte skena paniku dhe kaosi në aeroportin e Kabulit të hënën, teksa banorët e dëshpëruar u përpoqën të iknin nga vendi i shkatërruar nga lufta. Disa vdekje u raportuan pasi disa u kapën në avionët që fluturonin jashtë kryeqytetit.

Këtë pranverë, lufta midis talebanëve dhe forcave afgane u intensifikua pasi trupat e huaja njoftuan tërheqjen e tyre nga vendi deri më 11 shtator, në 20 vjetorin e sulmeve terroriste që çuan në pushtimin amerikan të vendit.

Me rënien e qeverisë afgane, vëmendja po kthehet në garantimin e sigurisë për civilët dhe personat që presin të evakuohen, si dhe një transferim i rregullt i pushtetit.

Talebanët kanë deklaruar se lufta në Afganistan ka mbaruar dhe thanë se janë duke u zhvilluar përpjekjet për të formuar një qeveri përfshirëse.

Kategoritë
Lajme