Ekspertët e OKB-së: Gazetarët në Afganistan kanë nevojë për mbrojtje urgjente

“Gazetarët dhe punonjësit e medias, në veçanti gratë, po përballen me rreziqe të rritura që kur talebanët morën kontrollin politik në Afganistan”, thuhet në një deklaratë të tre raportuesve specialë të OKB-së për të drejtat e njeriut

Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut i bëri thirrje të gjitha shteteve që të sigurojnë mbrojtje urgjente për gazetarët afganë dhe punonjësit e mediave që kanë frikë për jetën e tyre dhe po kërkojnë siguri jashtë vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gazetarët dhe punonjësit e medias, në veçanti gratë, po përballen me rreziqe të rritura që kur talebanët morën kontrollin politik në Afganistan”, thuhet në një deklaratë të tre raportuesve specialë të OKB-së për të drejtat e njeriut.

Ekspertët janë Irene Khan, raportuese speciale për promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes; Fionnuala NíAoláin, raportuese speciale për të drejtat e njeriut gjatë luftës kundër terrorizmit, dhe Clément Voule, raportues special për të drejtat e lirisë së tubimit paqësor.

Talebanët morën pushtetin në Afganistan muajin e kaluar, duke detyruar presidentin Ashraf Ghani dhe liderë të tjerë të largohen nga vendi. Trupat e huaj dhe diplomatët janë evakuuar gjithashtu, duke marrë me vete disa afganë që punonin me misionet perëndimore.

Ekspertët thanë se rezoluta e fundit e Këshillit për të Drejtat e Njeriut mbi Afganistanin “nuk arrin të adresojë rreziqet specifike me të cilat përballen gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut në vend.”

Ata u bënë thirrje të gjitha qeverive të “ndërmarrin veprime të fuqishme dhe të shpejta” për të mbrojtur gazetarët afganë duke ndërmarrë hapat e nevojshëm, duke përfshirë përshpejtimin e vizave dhe duke ndihmuar me evakuimin e atyre që dëshirojnë të largohen nga Afganistani.

Raportuesit specialë të OKB-së i bënë thirrje këshillit të mbajë premtimin e tij dhe të bëjë më shumë për sigurinë e gazetarëve në Afganistan.

“Raportet për vrasjet e synuara të gazetarëve dhe anëtarëve të familjes së tyre, bastisjet në shtëpi, kërcënimet dhe kanosjet në zonat e kontrolluara nga talebanët janë rritur ndjeshëm muajt e fundit”, thuhej në deklaratë.

“Siguria e gazetarëve, grave dhe burrave, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe aktivistëve të barazisë gjinore duhet të jetë një konsideratë kryesore e angazhimit të tyre në situatën e të drejtave të njeriut në Afganistan”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Talebanët, nga ana tjetër, kanë siguruar gratë afgane se të drejtat e tyre do të mbrohen brenda kufijve të ligjit islamik dhe se ato do të jenë në gjendje të marrin pjesë aktive në shoqëri dhe të ndjekin arsimin.

Ekspertët thanë se këshilli duhet të marrë parasysh krijimin e një mekanizmi hetues dhe monitorues për llogaridhënien e të gjitha shkeljeve të të drejtave të njeriut, përfshirë hakmarrjet dhe dhunën kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias.

Kategoritë
BotaLajme