Ekspertët izraelitë: Pas vizitës së Herzogut, do të rritet bashkëpunimi Turqi-Izrael

“Të dyja vendet shmangin hapat e mprehtë ndaj temës së Ukrainës. Izraeli është një aleat i fortë i SHBA-së, Turqia është anëtare e NATO-s. Ka shumë kryqëzime midis dy vendeve”, tha Micedle.

Ekspertët izraelitë, të cilët thanë se vizita e presidentit izraelit, Isaac Herzog në Turqi ishte “përgjithësisht e pranuar” në Izrael, theksuan se të dy vendet mund të rrisin bashkëpunimin e tyre rajonal në shumë fusha pas sulmit rus ndaj Ukrainës.

Vizita e Herzogut në Ankara më 9 mars u shënua si vizita e parë e nivelit të lartë nga Izraeli në Turqi që nga viti 2008. Vizita e paraplanifikuar e presidentit të Izraelit përkoi me fillimin e luftës në Ukrainë. Takimi i presidentit Recep Tayyip Erdoğan me Herzogun në Ankara gjatë ditëve të angazhimit intensiv diplomatik në skenën ndërkombëtare u ndoq nga afër edhe në Izrael.

Në prononcimet e tyre për Anadolu Agency (AA), ekspertët potencuan se rinovimi i marrëdhënieve mes dy vendeve u gjet i favorshëm nga qarqe të mëdha në Izrael dhe se mund të zhvillohet bashkëpunim, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe energjisë.

Mohammad Micedle, komentator në televizionin izraelit Channel 12 tha se kontakti me Turqinë u prit me “festë” në Izrael.

“Izraeli mirëpret marrëdhëniet që ka vendosur me vendet e rajonit në përgjithësi. Kjo është e mirëpritur natyrshëm me një vend si Turqia, e cila ka peshë rajonale, një ekonomi e madhe, aktive në energji dhe ka një prani në botën arabe dhe islame. Në këtë aspekt, Izraeli e konsideron afrimin me Turqinë në mënyrë strategjike”, tha Micedle.

Duke thënë se fushat ku mund të ndërmerren lehtësisht hapat e ndërsjellë mes dy vendeve janë ekonomia, energjia dhe turizmi, Micedle tha se “Izraeli i sheh temat e ekonomisë dhe energjisë si një fushë bashkëpunimi mes dy vendeve ku të gjithë do të bien dakord”.

Komentatori me origjinë palestineze shpjegoi se vizita e Herzogut në Turqi ishte përgjithësisht e pranuar në politikën izraelite.

“Asnjë nga partitë politike, nga (udhëheqësi i partisë, Likud, Benjamin) Netanyahu te (ministri i Mbrojtjes) Benny Gantz, djathtistët apo majtistët, arabë, hebre, fetarë apo jo, asnjë element i politikës izraelite nuk e kritikoi këtë vizitë”.

– Herzog mbërriti në koordinim me qeverinë

Duke theksuar se presidenti i Izraelit luan një rol simbolik në administratën shtetërore, Micedle tha se Herzog koordinoi vizitën e tij në Ankara me qeverinë dhe politikën izraelite, përgatiti publikun për këtë vizitë dhe se “prandaj, tema e Ankarasë u prit me një reagim pozitiv”.

Micedle tha se pavarësisht rolit simbolik të Herzogut, me këtë vizitë ai ndërmori iniciativën për të hapur derën për fillimin e marrëdhënieve përpara qeverisë izraelite, e cila është përgjegjëse për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet politike.

Sipas tij, Herzog do t’ia dorëzojë qeverisë izraelite ndërmarrjen e hapave konkretë në marrëdhëniet. “Qeveria izraelite nuk do të jetë në gjendje të ndërmarrë hapa të shpejtë dhe të lehtë për shkak të strukturës së saj të koalicionit, por marrëdhëniet ende përparojnë në një drejtim pozitiv. Aktualisht kryeministri izraelit, Naftali Bennett po tregon se qeveria e re izraelite ka hapur një faqe të re në marrëdhëniet rajonale”, tha Micedle.

Ai shtoi se gjatë periudhës së ish-kryeministrit Netanyahu, politika e jashtme izraelite iu afrua administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump dhe i largoi vendet e rajonit dhe çështjen palestineze.

Micedle thotë se pozicioni strategjik i dy vendeve është i ngjashëm. “Izraeli ka interesa në Siri. Turqia ka interesa në Siri. Të dyja vendet shmangin hapat e mprehtë ndaj temës së Ukrainës. Izraeli është një aleat i fortë i SHBA-së, Turqia është anëtare e NATO-s. Ka shumë kryqëzime midis dy vendeve”, vlerëson ai.

– Dy vendet mund të bashkëpunojnë në ndërmjetësim për t’i dhënë fund luftës

Jonathan Freeman, doktor i shkencave politike në Universitetin Hebraik të Kudsit tha se marrëdhëniet mes dy vendeve fituan rëndësi përballë luftës në Ukrainë dhe kjo luftë preku të dy vendet.

Ai tha se tregtia dhe turizmi janë hapat e parë që duhet të zbatohen mes dy vendeve, veçanërisht me uljen e ndikimit të pandemisë së COVID-19. Freeman thekson se të dyja palët mund të gjejnë mundësi bashkëpunimi rajonal në fushën e ekonomisë, energjisë dhe sigurisë.

“Çështja e krijimit të një gazsjellësi është shumë e rëndësishme. Shumë vende në Bashkimin Evropian thonë: Mos i vendosni të gjitha vezët në një shportë. Nevojat për energji nuk duhet të varen nga një burim i vetëm. Energjia duhet të diversifikohet”, nënvizon Freeman.

Sipas tij, të dy vendet mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për Sirinë. “Herzog përmendi se do të krijohet një komitet për të zgjidhur keqkuptimet midis dy vendeve. Ky luan rol kritik, veçanërisht në hapat ushtarakë. Turqia kohët e fundit ka luajtur rol në Siri dhe ushtarakisht në Libi. Në këtë mënyrë mësuam se do të hapet një kanal komunikimi i drejtpërdrejt mes dy vendeve dhe do të krijohet mekanizëm ku mund të zgjidhen keqkuptimet”, tha Freeman.

Duke vlerësuar se NATO ka folur me një zë deri më tani, por nuk ka mundur të veprojë me vendosmëri për Ukrainën, Freeman parashikoi se Izraeli dhe Turqia mund të bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes.

Freeman tha se vizita e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett në Turqi mund të jetë gjithashtu në rend dite pas Herzog-ut. “Ju shihni komente se ndërmjetësimi i dy vendeve në Ukrainë është rival”, tha ai.

Në vazhdim Freeman tha se vizita e kryeministrit izraelit Bennett në Turqi mund të jetë gjithashtu në rend dite pas Herzogut. “Kam parë komente se ndërmjetësimi i dy vendeve në Ukrainë është konkurrues me njëri-tjetrin. Nën ndërmjetësimin e Turqisë dhe Izraelit nuk ka konkurrencë por ka shkëmbim të pikëpamjeve. Erdoğan gjithashtu vlerësoi përpjekjet e Izraelit për ndërmjetësim”, tha Freeman.

Kategoritë
BotaLajme