Eksperti bullgar del me video-analizë, tregon se cila mund të jetë arsyeja për aksidentin tragjik

Organizatori i trajnimeve për siguri në rrugë, Dimitar Iliev, ka folur për aksidentin tragjik të ndodhur në autostradën e Strumës në Bullgari e ku vdiqën së paku 45 shtetas të Maqedonisë Veriore, shumica shqiptarë dhe 7 të tjerë mbetën të lënduar rëndë. Iliev ka thënë se një faktor serioz që mund të ketë çuar në aksident është edhe gjendja e shenjave rrugore dhe e sinjalistikës në vendin ku ka ndodhur aksidenti, shkruan Dnevnik.bg.

Iliev ka realizuar edhe një video përmes të cilës ka paraqitur gjendjen e sinjalistikës në metrat e fundit të autostradës para vendit të përplasjes së autobusit. Ai konstaton se aty ka një sërë parregullsish duke specifikuar se shenjat janë mashtruese, të vjetra dhe jo reflektuese, gjithashtu edhe reflektorët e anësorëve që përshkruajnë rrugën gjatë natës janë të vjetra, të ndryshkura dhe praktikisht të padukshme. Gjithashtu ai thotë se një shenj që tregonte se ka një kthesë ishte rrëzuar potencialisht në muajin maj dhe asnjëherë s’është rivendosur.

Iliev gjithashtu përshkruan atë që mund të ketë ndodhur në sekondat e fundit para aksidentit. Ai thotë se duke e parë në momentin e fundit ndarësen në zonën e pushimit, shoferi mund të ketë bërë përpjekje për t’u shmangur në të majtë, por thotë se anësorja ka të ngjarë që të shkaktojë dëme në autobus në pjesën e gomës, dhe gypat e ajrit që janë të nevojshëm për funksionimin e frenave dhe ndezjes.

“Imagjinoni sa e saktë mund të jetë manovra e tij me një gomë të shpuar dhe pa frena.”, ka thënë Iliev.

Iliev tutje thotë se në Bullgari ka shumë vende në autostrada ku vazhdimisht ndodhin aksidente të rënda dhe ku vdesin njerëz.

“Ne i njohim, policia i njeh, ndihma në rrugë i njeh, çështja është se nuk ka vullnet që kjo gjë të rregullohet. Unë i quaj këto vende në rrugët bullgare kurthe – kurthe ku mund të mashtrohet dhe të bjerë kushdo”, ka thënë Iliev.

Videon mund ta gjeni këtu.

Kategoritë
LajmeRajoniTë ndryshme