Eksportet e Gjermanisë goditen nga lufta Rusi-Ukrainë

Kompanitë janë pesimiste për 6 muajt e ardhshëm, veçanërisht ato që kanë lidhje ekonomike me Rusinë, sipas institutit kërkimor gjerman.

Besimi i eksportuesve gjermanë ra në mënyrë dramatike gjatë luftës Rusi-Ukrainë, tha një institut kërkimor me bazë në Mynih.

Instituti për Kërkime Ekonomike “ifo” tha se pritjet e eksportit ranë në minus 2,3 pikë në mars në baza mujore, nga 17 pikë në shkurt.

“Deri më sot, e vetmja herë tjetër që indeksi pësoi një rënie më të madhe ishte në fillim të krizës së koronavirusit në prill 2020 (minus 31,2 pikë)”, shtoi ai.

Kompanitë, tha ai, janë më pesimiste për gjashtë muajt e ardhshëm, veçanërisht firmat që kanë marrëdhënie ekonomike me Rusinë.

Ndërsa pritjet e eksporteve ranë për të gjitha industritë prodhuese, “prodhuesit e makinave dhe furnitorët e tyre pësuan një rënie të konsiderueshme dhe presin rënie të eksporteve”, tha instituti.

Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 1.119 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 1.790 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifrat e vërteta mendohet se janë shumë më të larta.

Më shumë se 3,82 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Kategoritë
BotaLajme