“Ekzistojnë debate midis 27 vendeve të BE-së mbi kapacitetin për të pranuar anëtarë të rinj”

Në darkën joformale të mbrëmshme dhe takimin e sotëm u diskutuan propozime konkrete për të ardhmen e BE-së, tha kreu i Këshillit Evropian pas samitit për Ballkanin Perëndimor në Slloveni

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se ekzistojnë debate midis 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në lidhje me kapacitetin e bllokut për të pranuar anëtarë të rinj, raporton Anadolu Agency (AA).

Michel mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe kryeministrin slloven Janez Jansa pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bërdo të Sllovenisë, e cila ka presidentën e rradhës në BE.

“Për të qenë i sinqertë, ka debate midis 27 anëtarëve në lidhje me kapacitetin tonë për të pranuar anëtarë të rinj”, tha Michel, por nënvizoi në darkën joformale të mbrëmshme dhe takimin e sotëm u diskutuan propozime konkrete për të ardhmen e BE-së.

Duke theksuar se ekziston një konsensus dhe dëshirë për të rritur ndikimin e BE-së në botë, Michel tha: “Nuk ka diçka të tillë si ‘ose NATO ose mbrojtje evropiane’”. Ai përsëriti se përpjekja e BE-së për autonomi nuk do të jetë një alternativë ndaj NATO-s.

Përveç mbrojtjes, Michel vuri në dukje rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për digjitalizimin, inovacionin dhe agjendën “e gjelbër” të BE-së.

– Çështja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë e vë BE-në në gjendje të vështirë

Presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen theksoi se Komisioni do të bëjë çmos për të përmirësuar procesin e zgjerimit, duke shtuar se “BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor”.

“Plani ekonomik dhe i investimeve formojnë bazën e marrëdhënies sonë me rajonin”, tha von der Leyen.

Ajo deklaroi se BE-ja ka pranuar “Planin Ekonomik dhe Investues” prej 30 miliardë eurosh për shtatë vitet e ardhshme për Ballkanin Perëndimor, dhe se 9 miliardë euro nga kjo shumë është planifikuar të dhurohen nga fondi i BE-së.

Von der Leyen tha se sipas përshtypjeve të opinionit në gjashtë vendet në kuadër të turit të saj javën së kaluar, këto vende kanë kryer reforma të rëndësishme, por ende nuk është bërë përparim i mjaftueshëm në fushën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirinë e shtypit dhe ekonominë.

Von der Leyen deklaroi se ngecja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë e vë në rrezik fuqinë manovruese dhe qëndrimin e BE-së në rajon, por shprehu shpresë se do të arrihet një zgjidhje për këtë çështje.

– “E vetmja zgjidhje e përhershme është anëtarësimi në BE”

Kryeministri slloven Janez Jansa vuri në dukje se samiti ishte një pikë kthese për sa i përket pikëpamjes së rajonit për BE-në.

“E vetmja zgjidhje e përhershme që do të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon është anëtarësimi në BE”, u shpreh Jansa.

Duke deklaruar se shpresojnë që Ballkani Perëndimor të bëhet anëtar i BE-së më parë, Jansa tha se procesi i zgjerimit të BE-së është zgjatur për shkak të shumë krizave.

Ai tha se me deklaratën e nënshkruar sot, vendet e rajonit fituan siguri dhe guxim për të ardhmen e BE-së, duke shtuar se përfshirja e politikës së zgjerimit në deklaratë është një hap i rëndësishëm strategjik.

Kategoritë
BotaLajme