Emërohet Qeveria re e Malit të Zi

Qeveria Abazoviq do të ketë 18 ministri, katër nënkryetarë, të cilët janë edhe ministra të linjës, dhe dy ministra pa portofol.

Kryeministri i ri i Malit të Zi është zgjedhur Dritan Abazoviq me 45 vota për dhe tri kundër. Qeveria Abazoviq do të ketë 18 ministri, katër nënkryetarë, të cilët janë edhe ministra të linjës, dhe dy ministra pa portofol. Në Qeverinë e re të Malit të Zi, do të jenë edhe dy ministra shqiptarë. Marash Dukaj do të jetë ministër i Administratës Publike, kurse Fatmir Gjeka, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve. Kryeministri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha pas seancës së Kuvendit tha se Qeveria do të zgjasë për aq kohë sa rrethanat politike të jenë të favorshme dhe për aq kohë sa deputetët e lejojnë atë. “Është e kufizuar në një vit, por marrëveshja e koalicionit thotë se pas një viti do të përmblidhen rezultatet dhe do të shihet se çfarë do të ndodhë më pas, në një vit gjërat do të jenë shumë më mirë se sa janë sot”, tha Abazoviq. Ai tha se adresa e parë e tij për vizitë do të jetë Brukseli, por “nëse është e mundur, jam gati të shkojë edhe në Kiev”. Duke folur për luftën kundër krimit, ai tha se mbase DPS kërkon të heqë qafe çakallin e njerëzve që kanë punuar kundër ligjit. “Drejtësia ka nisur. Pres surpriza pozitive për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë së re për të dhënë drejtësi. Pres mbështetjen e deputetëve për zhbllokimin e institucioneve” Ai tha se synimi është që Qeveria e re të rimendojë një politikë tolerante, ajo përfshin njerëz të të gjitha besimeve dhe kombeve. “Unë nuk jam skeptik. Nëse duam që partnerët evropianë të na njohin, ne do të duhet të japim rezultate”, potencoi Abazoviq. Në prezantimin e ekspozesë Abazoviq tha se detyrë e kësaj gjenerate politikanësh është të punojnë rreth kompromiseve dhe interesave të përgjithshme të shoqërisë. Obligim i secilit ministër të këtij kabineti qeveritar, tha Abazoviq, është të shoh kah e ardhmja dhe të mos kthehet në të kaluarën. “Ky shans nuk mund të na ik. Duhet të ç’bllokojmë të gjitha institucionet”, tha Abazoviq para Kuvendit të Malit të Zi. Qeveria e re, vazhdoi të tregojë ai, do të mbështetet në dy shtylla kryesore – sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Kryetare e Kuvendit është zgjedhur Danijela Gjuroviq. Siguria e qytetarëve dhe e shtetit nuk guxon të ketë alternativë, tha kryetarja e re Kuvendit, Danijela Gjuroviq në fjalimin e saj të parë. “Mali i Zi do të vazhdojë rrugën e tij të qartë evropiane dhe euroatlantike, duke respektuar të gjitha detyrimet e marra. Ai do të veprojë si një partner i besueshëm për të gjitha shoqëritë demokratike me të cilat ndajmë të njëjtat vlera. Siguria e qytetarëve dhe e shtetit nuk ka alternativë”, ka shtuar ajo.

Zyrtarët evropianë përshëndesin zgjedhjen e kryeministrit Abazoviq

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Zhozep Borel përshëndeti zgjedhjen e Dritan Abazoviqit Kryeministër i Malit të Zi. Më gëzon fakti se do të punojmë së bashku për përparim të dukshëm në rrugën drejt BE-së”, shkroi Borel në Twitter. Ai thekson se Mali i Zi është partner i besueshëm, i cili është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të BE-së. Edhe Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelji përshëndeti votimin në Kuvendin e Mal të Zi. Ndërkohë, edhe nga Komisioni Evropian, siç deklaroi zëdhënësja, Ana Pisonero Hernandez, përshëndetën formimin e qeverisë së re në Mal të Zi, dhe theksoi se  pret që Qeveria e re të kthejë besimin politik dhe institucional që i duhet vendit”. Edhe raportuesi për Malin e Zi në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, dhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian në Mal të Zi, Vlladimir Bilçik në një deklaratë të përbashkët thanë se edhe pse është humbur kohë e çmuar, besojnë se Qeveria e re do të përshpejtojë rrugën drejt BE-së.

Zyrtarët nga rajoni urojnë kryeministrin Abazoviq 

Zgjedhjen e Abazoviqit për Kryeministër e uruan edhe zyrtarë nga Serbia, Shqipëria dhe Kosova. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se është e bindur se Serbia dhe Mali i Zi, mund të punojnë së bashku në periudhën e ardhshme, në rrugën drejt Bashkimit Evropian, për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, më të lidhur ekonomikisht dhe infrastrukturor dhe më të suksesshëm. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur i gëzuar që Abazoviq është bërë kryeministër, me vlerësim se Ballkani me gjashtë shtete tashmë ka tre kryeministra shqiptarë.

Duke e uruar Abazoviqin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se do të forcojë partneritetin për prosperitet dhe siguri.

Kryeministri Dritan Abazoviq e fal Bajramin bashkë me qytetarët e Ulqinit

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me rastin e festës së Fitër Bajramit, bashkë me qytetarët nga vendlindjes së tij Ulqini, kanë falur së bashku namazin e Fitër Bajramit. Përmes një postimi në Facebook, Abazoviq e ka uruar këtë festë duke thënë që shpreson që “Bajrami të na frymëzojë me empati për ta bërë shoqërinë më tolerante”. “Reisi i Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq dhe të gjithë ata që festojnë, dëshiroj ta mirëpresin me shëndet, shpirt të pastër dhe zemër plot duke përhapur vazhdimisht idenë e paqes dhe solidaritetit”, ka shkruar ai.

Kremtohet Dita botërore e lirisë së shtypit 

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit u kujton qeverive në mbarë botën që të respektojnë obligimin e lirisë së mediave dhe gazetarëve, kumtoi Aleanca Qytetare, AQ, dhe i bëri thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të zgjidhë detyrimet e shumta të akumuluara në këtë fushë. AQ ia ka kujtuar Qeverisë së Malit të Zi këto obligime, por edhe zgjidhjen e problemeve të akumuluara që tash disa vite e rëndojnë skenën mediatike malazeze. Siç është kumtuar nga kjo OJQ korniza legjislative ka pësuar disa ndryshime, siç janë ndryshimet në Kodin Penal, mbrojtja e gazetarëve dhe procesuimi më efikas i sulmeve dhe i pengimit të gazetarëve. AQ pret që zbatimi i ndryshimeve ligjore të miratuara do të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe kushte më të mira të punës. AQ pret që zbatimi i ndryshimeve ligjore të miratuara do të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe në kushtet më të mira të punës. AQ vlerësoi se shembull i ndryshimeve pozitive është puna e Radio Televizionit të Malit të Zi, e cila sipas Komisionit Evropian dhe raporteve të tjera relevante konstaton llojllojshmëri më të madhe të përmbajtjeve politike, gjë që tregon ndryshime të rëndësishme në punën e tij dhe lirim nga ndikimet politike.

Shënon rënie numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi

Në 24 orët e fundit në Mal të Zi, është raportuar një rast i vdekjes dhe 65 raste të reja pozitiv në koronavirus, ka njoftuar Instituti për Shëndetin Publik. Nga ky institut po ashtu, është kumtuar se në 24 orët e fundit janë analizuar rezultatet e 885 mostrave të dyshuar në Covid-19. Raste aktive të prekur me virus janë 593 persona. Deri më sot në orën 15 janë shëruar 114 pacientë. Ndërkaq, që nga fillimi i

pandemisë në Mal të Zi kanë vdekur 2.716 persona. Prej fillimit të epidemisë numri i përgjithshëm i të prekurve me virus është 235 mijë e 403  persona. Ndërkaq, në QKMZ janë duke u trajtuar 6 pacientë të infektuar me Covid-19, njeri prej të cilëve është në rrezik për jetën.

 

Kategoritë
LajmeRajoni