“Ende nuk ka vaksina të mjaftueshme në Evropë për të parandaluar valën e tretë të COVID-19”

“Kur bëjmë një vlerësim të situatës reale, në Evropë akoma nuk ka vaksina të mjaftueshme për të parandaluar valën e tretë vetëm me vaksinim”, tha ministri gjerman i Shëndetësisë, Spahn

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn deklaroi se në Evropë nuk ka vaksina të mjaftueshme për të parandaluar valën e tretë të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Spahn në një konferencë për media në Berlin tha se numri i rasteve të reja me COVID-19 dhe shkalla e llojeve të mutacioneve është rritur.

Duke nënvizuar se jemi në valën e tretë të pandemisë, Spahn tha se “Përpara kemi javë shumë të vështira”.

Spahn, duke iu referuar rëndësisë së vaksinimit për të dalë nga pandemia, tha se “Kur bëjmë një vlerësim të situatës reale, në Evropë akoma nuk ka vaksina të mjaftueshme për të ndaluar valën e tretë vetëm me vaksinim”.

Ai tha se edhe nëse porositë e BE-së arrijnë në mënyrë të sigurt, do të duhen disa javë që grupet e rrezikuara të vaksinohen plotësisht. Spahn shtoi se masat kundër pandemisë mund të zbuten duke vaksinuar këto grupe.

“Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka vendosur dje se vaksina AstraZenca është e besueshme dhe përfitimet e saj janë më shumë sesa rreziqet. Kjo vaksinë do të vazhdojë të aplikohet nga sot në Gjermani”, tha Spahn.

Në takim zv/presidenti i Institutit Robert Roch (RKI), Lars Schaade tha se rastet e reja me COVID-19 po rriten me shpejtësi, veçanërisht tek ata të moshës 15-49.

Shaade njoftoi se numri i pacientëve në kujdes intensiv nuk është ulur për 2 javë dhe se vdekjet nga COVID-19 janë ende në një nivel të lartë.

Sipas RKI-së në Gjermani në 24 orët e fundit janë shënuar 17.482 raste të reja me COVID-19. Në vend janë shënuar gjithsej 2.629.750 raste me COVID-19 ndërsa në 24 orët e fundit 226 persona e kanë humbur jetën duke çuar numrin e viktimave në 74.358.

Në takimin e mbajtur më 4 mars, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrat e shtetit vendosën se nëse numri i rasteve të reja vazhdon të rritet do të rifillojnë masat e ashpra që ishin të vlefshme para 7 marsit.

Në Gjermani, në janar dhe shkurt numri i rasteve të reja javore ra shpejt ndërsa filloi të rritet përsëri në fund të shkurtit dhe marsit. Theksohet se kjo rritje është për shkak të llojeve të mutuara të COVID-19 që përhapen me shpejtësi.

Kategoritë
BotaLajme