“Ende qindra trupa viktimash të Covid-19 gjenden në kamionë frigoriferikë në New York”

Teksa New York po del ngadalë nga kriza e pandemisë së koronavirusit, ende qindra trupa të viktimave të pandemisë mbeten në kamionët frigoriferikë jashte spitaleve në fasadën bregdetare të Brooklyn, raportonte e përditshmja Washington Post.

Më shumë se një vit pas kulmit të pandemisë, morgët e improvizuar shihen ende në parkun Sunset.

Në raportin e këshillit të New York javën e kaluar pranohej se rreth 750 trupa viktimash të Covid-19 ende gjenden në kamionë, teksa masat për reduktimin e numrit të tyre kanë nisur së fundmi.

Dina Maniotis, komisionere e zyrës së mjekut ligjor tha se shumica e tyre ndodhen në Hart Island, pranë Bronx, ku prej më shumë se një shekulli, qyteti varros të varfrit dhe ata që nuk kërkohen nga të afërmit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me familjet. Sapo familjarët të na tregojnë se i duan të afërmit e tyre, ata do të transferohen në Hart Island,” tha Maniotis.

Me më shumë se një milionë njerëz të varrosur aty, rripi tokësor prej 2 km është një nga varrezat më të mëdha në SHBA.

Në mars e prill të vitit të kaluar, New York ishte nga zonat e goditura më rëndë në botë nga koronavirusi.

Tashmë rreth 500 deri në 800 trupa mbeten të mbajtur në kamionët frigoriferikë prej prillit 2020.

85 kamionë frigoriferikë ishin të parkuar jashtë spitaleve në ditët e këqija të pandemisë, duke u kthyer në një nga simbolet më të dukshme të pasojave të sëmundjes.

Zhvillimi vjen teksa New York City përgatitet të heqë masat e mbetura të kufizimeve për t’u kthyer në një normalitet që nuk është parë që prej fillimit të 2020.

Kategoritë
BotaLajme