Erdogan: Autoritetet turke nuk do të tërhiqen përballë presionit dhe shantazhit

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbërriti të premten në Ishullin Yassiada pranë Stambollit, ku mbajti një fjalim në programin e organizuar në Qendrën e Kongreseve “Adnan Menderes”, me rastin e 62-vjetorit të Grushtit të Shtetit të 27 Majit.

Politikanët që prodhojnë shërbime për vendin dhe popullin janë kërcënuar herë pas here nga puçistët,- tha Presidenti Erdoan dhe shtoi: “Së bashku me popullin tonë më 15 Korrik (2016, kur ndodhi tentativa e Organizatës Terroriste Fethullahiste-FETO për grusht shteti) ne shënuam një nga fitoret më të mëdha të demokracisë në historinë tonë”.

Për shkak të grushteve të shtetit, Turqisë i është dashur të paguajë çmime të vështira për t’u kompensuar në zhvillimin e saj ekonomik, por dëmtimin kryesor e pësoi sistemi i drejtësisë,- u shpreh udhëheqësi turk dhe e vijoi kështu fjalën e tij: “Askush nuk mund t’i vendosë zinxhirë vullnetit të çeliktë të popullit; askush nuk mund ta shkelë të drejtën e këtij populli. Askush nuk do t’u prekë as fijen e flokut atyre që i shërbejnë këtij populli. /…/ Kanë kaluar ato ditë kur politika ‘kalibrohej’ me kryeartikujt e gazetave; kur politika orientohej me anë të terrorit e shantazheve. Të gjithë duhet ta dinë se Turqia është një shtet ligjor demokratik. Është një shtet, ku sovraniteti i takon pa kushte popullit.”

Ai iu referua edhe luftës kundër terrorizmit dhe tha se lufta kundër terrorizmit vazhdon në veri të Irakut dhe në rajonin e operacionit “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë, 30 kilometra në jug të kufijve të Turqisë, dhe se kjo luftë do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë edhe në vijim.

Kategoritë
BotaLajme