Erdoğan: Islamofobia vazhdon të përhapet në vendet perëndimore

“Islamofobia vazhdon të përhapet veçanërisht në vendet perëndimore, duke helmuar të gjitha shtresat e shoqërisë nga njerëzit në rrugë deri tek politikanët, nga punëtorët deri tek zyrtarët publikë”, tha Erdoğan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një mesazh dërguar për Forumin e 2-të Ndërkombëtar të Medias dhe Islamofobisë tha se “Islamofobia, ashtu si epidemia e murtajës që nuk mund të parandalohet, vazhdon të përhapet veçanërisht në vendet perëndimore”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Qendrën e kongreseve ‘ATO Congresium‘ në Ankara ka filluar Forumi i 2-të Ndërkombëtar i Medias dhe Islamofobisë i cili zhvillohet nga Bordi i Lartë i Radio dhe Televizionit, Kryesia e Çështjeve Fetare (Diyanet), Universiteti Erciyes dhe Universiteti Shkencave Ankara, program ky i cili mbahet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës.

Në mesazhin e tij, Erdoğan ka përgëzuar institucionet që kanë udhëhequr zhvillimin e këtij programi si dhe ka shprehur falënderimet për të gjithë ata të cilët kanë pasuruar përmbajtjen e këtij programi me mendimet, përcaktimet, udhëzimet dhe rekomandimet e tyre.

“Islamofobia, ashtu si epidemia e murtajës që nuk mund të parandalohet, vazhdon të përhapet veçanërisht në vendet perëndimore, duke helmuar të gjitha shtresat e shoqërisë nga njerëzit në rrugë deri tek politikanët, nga punëtorët deri tek zyrtarët publikë”, tha Erdoğan duke shtuar se është i kënaqur me atë që forumi i cili u mbajt me sukses vitin e kaluar pavarësisht kushteve të vështira të pandemisë, vazhdon rrugën e tij me një pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse dhe më të gjerë këtë vit.

“Atmosfera e urrejtjes e nxitur edhe nga organe mediatike të papërgjegjshme, bashkë me muslimanët ndikon negativisht edhe tek miliona njerëz që kanë gjuhë, fe, rrënjë dhe kultura të ndryshme. Diskutimet e turpshme të përjetuara në kontekstin e krizës së Ukrainës, tregojnë dimensionet e rrezikshme që ka arritur armiqësia ndaj Islamit (islamofobia) dhe racizmi kulturor”, tha Erdoğan duke shtuar:

“Si anëtarë të një qytetërimi i cili njeriun e sheh si qenie të nderuar dhe thotë ‘të jetojë populli që të jetojë shteti‘, ne nuk e pranojmë kurrë që mes të shtypurve dhe viktimave të bëhen diskriminime. Lufta me armiqësinë në rritje ndaj Islamit është çështje e njerëzisë dhe jo vetëm e muslimanëve. Ne nuk mundëm të parandalojmë sulmet islamofobike në Zelandën e Re në vitin 2019 dhe në Kanada në 2021”.

Ai theksoi se krahas politikanëve, organeve mediatike dhe shtetërore perëndimore, përgjegjësia më e madhe për këtë çështje bie mbi botën islame dhe institucionet e saj.

“Përballë kësaj padrejtësie, paligjshmërie dhe diskriminimi që bashkë me ta vendos në objektiv miliona njerëz, muslimanët duhet të tregojnë reagim të fuqishëm, të luftojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre në bazë legjitime. Unë e shoh Forumin e 2-të Ndërkombëtar të Medias dhe Islamofobisë si një hap të vlefshëm i hedhur në këtë drejtim”, tha Erdoğan.

Kategoritë
BotaLajme