Erdoğan: Kanalin e Stambollit e shohim si një projekt për të shpëtuar të ardhmen e Stambollit

“Shpresojmë që Kanalin e Stambollit (Kanal Istanbul) ta përfundojmë brenda 6 viteve me një kosto prej rreth 15 miliardë dollarë”, tha presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Kanalin e Stambollit e shohim si një projekt për të shpëtuar të ardhmen e Stambollit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim të mbajtur në ceremoninë e hedhjes së themeleve të urës Sazlıdere për Kanalin e Stambollit, Erdoğan vuri në dukje se me projeksionet e bëra numri i anijeve që do të kalojnë në Ngushticën e Bosforit në vitin 2050 do të arrijë në 78 mijë. Ai shtoi se “sipas përllogaritjeve kapaciteti për kalimin e sigurt të anijeve në Bosfor është 25 mijë”.

Ai bëri të ditur se fakti që përdorimi i pilotëve udhëzues dhe rimorkiatorëve në Montreux nuk është i detyrueshëm rrit rreziqet për anijet tregtare në kalimin në ngushticë. Erdoğan theksoi se situata e detyruar për të mbyllur ngushticën për kalimin e anijeve dhe distancat që duhet të lihen mes anijeve shkakton humbje serioze të kohës.

Sipas tij, çdo orë që kalon për pritjen e këtyre anijeve është një kosto e rëndësishme. “Me projeksionet e bëra, numri i anijeve që do të kalojnë në Ngushticën e Bosforit në vitin 2050 do të arrijë në 78 mijë. Ndërsa sipas përllogaritjeve kapaciteti për kalimin e sigurt të anijeve në Bosfor është 25 mijë. Krahas problemeve të shkaktuara nga ujërat ndotëse dhe balasteve të anijeve që burojnë nga kapacitete intensive, Ngushtica e Stambollit ka kohë që ka filluar të japë këmbanën e alarmit edhe me ndotjen e shtëpive dhe industrisë”, tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan përmendi problematikën për mukozën në Detin Marmara. “Shikoni situatën lidhur me mukozën në Detin Marmara. A nuk është fatkeqësi? Gjithmonë themi e përgjërohemi, çfarë është kjo situatën kështu”, tha ai.

“Ngushtica nuk mund të mbyllet për kalimin e anijeve dhe ne sollëm në rend dite mendimin për ndërtimin e një kanali të ri për të përballuar trafikun në rritje”, potencoi Erdoğan i cili shtoi se “Kanalin e Stambollit e shohim si një projekt për të shpëtuar të ardhmen e Stambollit”.

“Ky projekt gjithashtu është i nevojshëm për të siguruar strukturën historike dhe kulturore të Ngushticës së Bosforit. Në mesin e qëllimeve të projektit janë lehtësimi i barrës së trafikut të anijeve, pakësimin e pritjeve në hyrje dhe në dalje të ngushticës, eliminimin e problemeve që burojnë nga vështirësia e lundrimit në Bosfor. Sigurisht që këtyre duhet t’u shtojmë edhe elementët tjerë strategjikë që vendi ynë të luajë rol më e efektiv në tregtinë globale, të marrë më shumë pjesë nga korridoret e transportit dhe logjistikës”, tha Erdoğan duke shtuar se me projektin e ‘Kanal Istanbul’ qëllimi i tyre para së gjithash është të garantojnë fillimisht Ngushticën e Bosforit, jetën dhe sigurinë e pasurisë së qytetarëve përreth tij.

Erdoğan njoftoi se destinacioni aktual u zgjodh sipas studimeve shkencore si linja më e arsyeshme dhe efikase në mesin e 5 alternativave.

“Vetëm në punimet e projektit morën pjesë 204 ekspertë, përfshirë 51 shkencëtarë nga 11 universitete të ndryshme. Në 304 vende të ndryshme përgjatë linjës së kanalit u realizuan 248 studime gjeofizike me sondazhe (shpime) mbi 17 mijë metra. Në punimet model, nën strukturën e qendrës inxhinierike më kryesore të botës morën pjesë 3.500 persona nga 35 vende të ndryshme. Ne e dimë mirë se çfarë bëjmë, ku dhe me kë ndërtojmë, sepse ky nuk është një projekt për vendosje të rubinetit në çezmë. Sot po hedhim themelet e një prej kanaleve shembull në botë. Madhësitë e anijeve dhe kapaciteti i trafikut që do të kalojë në kanal u përcaktuan në mënyrë që të përballojnë 99 për qind të trafikut aktual në Bosfor”, tha Erdoğan.

“Me ceremoninë e hedhjes së themeleve të urës Sazlıdere për Kanalin e Stambollit, ne sot hapim një faqe të re në historinë e zhvillimit të Turqisë. Sot po i shtojmë një hap të ri hapave të hedhur për zhvillimin e vendit tonë, për forcimin e popullit tonë”, tha ai.

Lidhur me ndërtimin e këtij projekti, Erdoğan nënvizoi: “Shpresojmë që Kanalin e Stambollit (Kanal Istanbul) ta përfundojmë brenda 6 viteve me një kosto prej rreth 15 miliardë dollarë”.

Erdoğan u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Stambollit dhe vendit duke thënë se “Gjatësia e kanalit do të jetë 45 kilometra. Gjerësia e bazës 275 metra, ndërsa thellësia 21 metra. Me një fjalë tjetër nga ky kanal do të mund të kalojnë tankerët e naftës me një gjatësi 275 metra dhe anijet për kontejnerë me një gjatësi 350 metra. Nuk është e lehtë kryerja e kalimit të këtyre anijeve pa aksidente pa probleme nga Stambolli. Kemi bartur gjithmonë rrezik në çdo moment. Studimet e kryera treguan se trafiku i anijeve në ‘Kanal Istanbul’ do të jetë 13 herë më i sigurt”.

Kategoritë
BotaLajme