Erdoğan: Ringjallja e dialogut politik bazuar në interesa të përbashkëta, “qëllim i përbashkët” i Turqisë dhe Izraelit

Vizita historike e presidentit izraelit Isaac Herzog do të jetë një “pikë e re kthese” në marrëdhëniet, tha Erdoğan.

Qëllimi i përbashkët i Turqisë dhe Izraelit është ringjallja e dialogut politik dypalësh bazuar në interesat e përbashkëta, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Vizita historike e presidentit izraelit Isaac Herzog do të jetë një “pikë e re kthese” në marrëdhëniet, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët shtypi.

“Qëllimi ynë i përbashkët me Izraelin është të ringjallim dialogun politik midis vendeve tona bazuar në interesat e përbashkëta dhe respektimin e ndjeshmërisë reciproke”, tha ai.

Forcimi i lidhjeve me Izraelin është i një rëndësie të madhe për stabilitetin dhe paqen rajonale si dhe për të dy vendet, shtoi Erdoğan.

Presidenti turk i shprehu gjithashtu homologut të tij izraelit rëndësinë e uljes së tensioneve në rajon dhe atë të ruajtjes së vizionit për një zgjidhje me dy shtete në çështjen e Palestinës.

“Është në duart tona të kontribuojmë në rivendosjen e një kulture paqeje, qetësie dhe bashkëjetese në rajonin tonë”, vuri në dukje Erdoğan.

Herzog nga ana e tij tha se qëllimi është të vendosen bazat për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis Turqisë, Izraelit dhe popujve të dy vendeve.

“Izraeli dhe Turqia mund dhe duhet të angazhohen në një bashkëpunim që do të ndikojë në këtë rajon që të gjithë e quajmë shtëpi”, tha Herzog.

Vizita e Herzog-ut, e para nga një udhëheqës i shtetit izraelit pas shumë vitesh, shihet si një hap drejt kalimit nga një periudhë e lidhjeve të tensionuara drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Turqinë.

Kategoritë
BotaLajme