Erdogan: Shpresoj të hapë derën për një armëpushim të përhershëm në mes të Ukrainës e Rusisë

Për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ministrat e jashtëm të të dy vendeve kanë rënë dakord që të takohen për bisedime, të cilat pritet të zhvillohen nesër në Turqi.

E lidhur me këtë, presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan tha se shpreson se takimi në resortin jugor të Antalias do të hapë derën për një armëpushim të përhershëm në mes dy shteteve.

Nuk është qartësuar se çfarë shansi ka ai për përparim në këtë çështje, pasi presidenti rus Putin ka thënë se do të ndjekë qëllimet e tij qoftë përmes negociatave apo veprimeve ushtarake në drejtim të Ukrainës.

Turqia është anëtare e NATO-s, por presidenti i saj është përpjekur të krijojë një qëndrim të ndryshëm nga vendet perëndimore për pushtimin rus.

Ai tha se Turqia nuk e pranonte atë që po ndodhte në Ukrainë, dhe se “sanksionet ishin pothuajse shndërruar në një gjueti shtrigash kundër popullit, letërsisë, studentëve dhe artistëve rusë”.

Ai veçoi Filarmoninë e Mynihut për shkarkimin e dirigjentit të njohur dhe mbështetësit të Putinit, Valery Gergiev, duke e quajtur atë “qesharake”.

Kategoritë
BotaLajme