Erdoğan: Talebanët propozuan që Turqia të drejtojë aeroportin e Kabulit

“Sulmi vdekjeprurës në kryeqytetin afgan tregon kërcënim që DEASH paraqet për rajonin dhe botën”, ka thënë presidenti Erdoğan

Me propozimin e talebanëve, Turqia mund të drejtojë aeroportin në kryeqytetin afgan, Kabul, ku vetë talebanët ofrojnë sigurinë, por vendimi është ende në pritje, tha sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Talebanët kanë propozuar që ne të operojmë aeroportin e Kabulit. Ne ende nuk kemi marrë një vendim për këtë çështje”, deklaroi Erdoğan, duke folur në mes të evakuimeve të vazhdueshme pas sulmit vdekjeprurës terrorist të së enjtes, pranë aeroportit të Kabulit.

Në një konferencë për media në Stamboll para se të nisej për në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, Erdoğan dënoi sulmin terrorist dhe theksoi se sulme të tilla nga DEASH tregojnë kërcënimin e madh që paraqet grupi terrorist si për rajonin ashtu edhe për botën.

Grupi terrorist DEASH/Horasan, dega afgane e DEASH-it, mori përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës ndaj kanaleve mediatike.

Presidenti Erdoğan tha se pas sulmit, evakuimi i trupave turke si dhe civilëve mbetet në vazhdim dhe do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ai tha se sipas Ministrisë së Brendshme, brenda Turqisë, aktualisht ka rreth 300 mijë emigrantë afganë të paregjistruar dhe të regjistruar.

Duke theksuar se Turqia nuk mund të pranojë një valë tjetër emigrantësh, Erdoğan theksoi se ka ndërtuar mure përgjatë kufijve të saj me Iranin, Irakun dhe Sirinë.

Kategoritë
BotaLajme