Erdoğan: Të rinjtë në Turqi janë kyç për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe presidenciale

“Më shumë se 6 milionë të rinj tanë do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2023”, tha Erdoğan në një fjalim në Festivalin Rinor të Pushtetit Lokal në Ankara

Të rinjtë në Turqi do të jenë kyç në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe presidenciale të vendit, të planifikuara për vitin 2023, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Më shumë se 6 milionë të rinj tanë do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2023”, tha Erdoğan në një fjalim në Festivalin Rinor të Pushtetit Lokal në Ankara, kryeqyteti i Turqisë.

“Çelësi i zgjedhjeve të ardhshme janë të rinjtë tanë, jo kjo apo ajo parti politike”, theksoi presidenti Erdoğan duke shtuar se Turqia i kushton rëndësi të veçantë popullatës së saj të re.

“Ëndrrat, pritjet, idetë, vendosmëria dhe propozimet e të rinjve tanë janë jetike për ne”, tha Erdoğan.

Ai potencoi se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të përfshihen sa më shumë në teknologji dhe shkencë.

“Ne nuk kemi nevojë për gjeneratën Z apo gjeneratën Y, por për gjeneratën TEKNOFEST”, tha Erdoğan.

TEKNOFEST është festivali më i madh turk i aviacionit dhe teknologjisë.

Në vitin 2017, votuesit turq vendosën të kalojnë nga një sistem parlamentar në një sistem qeverisjeje presidenciale. Një vit më pas, presidenti aktual Erdoğan u rizgjodh sipas sistemit të ri.

Në Turqi në vitin 2023 do të mbahen zgjedhjet kombëtare në të cilat qytetarët do të zgjedhin presidentin si dhe 600 anëtarë të Parlamentit.

Të gjithë zyrtarët do të zgjidhen për një mandat 5-vjeçar dhe presidenti ka autoritetin të shpallë zgjedhje të parakohshme, siç bëri në vitin 2018.

Kategoritë
BotaLajme