Erdogan: Turqia i ofron Afrikës 15 milionë doza të vaksinës kundër Covid-19

Turqia do të dërgojë 15 milionë doza të vaksinës së saj kundër Covid-19, “Turkovac” në Afrikë, njoftoi sot presidenti i vendit, Tayyip Erdogan, në Samitin Turqi-Afrikë, që po mbahet në Stamboll.

“Është turp për njerëzimin që vetëm 6% e popullsisë afrikane është vaksinuar kundër Covid-19”, u tha Erdogan udhëheqësve afrikanë që merrnin pjesë në samit.

“Turqia do të punojë për të ndihmuar në kapërcimin e padrejtësisë globale dhe trajtimit të padrejtë të Afrikës gjatë pandemisë“, shtoi presidenti turk.

Turqia ka aplikuar tashmë për përdorimin urgjent të vaksinës “Turkovac” dhe dozat do të ndahen me Afrikën kur të jepet leja, shtoi presidenti turk.

Nuk është ende e qartë se kur do të dërgohet ndihma.

Numri i rasteve në kontinentin afrikan po rritet me ritme të shpejta deri më sot, veçanërisht në Afrikën e Jugut, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këtë javë.

Erdogan tha se Ankaraja është e përkushtuar për të forcuar më tej lidhjet e saj tregtare me Afrikën.

Turqia ka 43 ambasada në 54 vende afrikane dhe investime të mëdha në kontinent, nga programet e ndihmës humanitare dhe sociale te energjia, mbrojtja dhe projektet e infrastrukturës.

Gjithsej 16 liderë dhe 102 ministra po marrin pjesë në samitin e Stambollit, samiti i tretë i tillë, tha dje ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoglu.

Kategoritë
BotaLajme