Erdoğan: Turqia me vendosmëri do të vazhdojë përpjekjet e saj për armëpushimin e përhershëm në Ukrainë

Scholz tha se mbyllja e ngushticave turke për anijet luftarake në përputhje me Konventën Montreux është një kontribut i rëndësishëm, si dhe falënderoi Turqinë për këtë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, pas takimit në Ankara me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se Turqia me vendosmëri do të vazhdojë përpjekjet e saj për arritjen e një armëpushimi të përhershëm midis Rusisë dhe Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin Scholz, presidenti Erdoğan tha se Turqia dhe Gjermania ranë dakord për të rritur përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës së Ukrainës duke marrë masa për sigurinë evropiane.

Erdoğan po ashtu njoftoi se Turqia dhe Gjermania janë të vendosur për rritjen e vëllimit të tregtisë dypalëshe në 50 miliardë dollarë.

Kancelari gjerman, nga ana e tij, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të “ndalojë tani” luftën kundër Ukrainës, si dhe shtoi se mbrojtja e refugjatëve është “përgjegjësia jonë humanitare”.

Scholz tha se mbyllja e ngushticave turke për anijet luftarake në përputhje me Konventën Montreux është një kontribut i rëndësishëm, si dhe falënderoi Turqinë për këtë.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e energjisë midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE).

Midis Turqisë dhe BE-së, theksoi Scholz, do të aktivizohen formatet e dialogut të nivelit të lartë.

“Gjermania dhe qeveria e saj e re duan të vlerësojnë potencialin për marrëdhënie të mira me Turqinë”, tha Scholz.

Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka tërhequr dënimin ndërkombëtar duke çuar edhe në sanksione financiare ndaj Moskës. Kjo luftë po ashtu ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 596 civilë janë vrarë dhe rreth 1.100 të tjerë janë plagosur që fillimi i luftës në Ukrainë, por thuhet se është e vështirë të merren shifra të sakta mes mjegullës së luftës.

Kategoritë
BotaLajme