Erdoğan: Turqia përgatit ligj të ri për menaxhimin e ujit

Duke theksuar se Turqia ka nevojë të rinovojë sistemet e ujitjes bujqësore, presidenti turk tha se vendi duhet të përdorë burimet e tij ekzistuese në mënyrë më efikase, duke inkurajuar ruajtjen e ujit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij po përgatit një ligj të ri me qëllim të menaxhimit më të mirë të ujit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi duke përgatitur një ligj mbi ujin në parlament për të arritur më shpejt qëllimet tona dhe për të parandaluar konfliktet e autoritetit në menaxhimin e ujit”, tha presidenti Erdoğan në Ankara në fillimin me punë të Këshillit të ri të Ujit dhe ceremonisë së hapjes së 363 objekteve.

Erdoğan tha se këshilli i ri do të ndihmojë në formësimin e ligjit të ujit.

Duke theksuar se Turqia ka nevojë të rinovojë sistemet e ujitjes bujqësore, ai tha se vendi duhet të përdorë burimet e tij ekzistuese në mënyrë më efikase, duke inkurajuar ruajtjen e ujit.

Duke nënvizuar se Turqia është një vend që ka kërkesë më të madhe për ujë se sasia që është dispozicion, ai tha se Turqia duhet të ndajë burimet e saj të kufizuara të ujit me Irakun dhe Sirinë fqinje.

“Ne gjithmonë kemi treguar ndjeshmërinë e nevojshme për plotësimin e nevojave për ujë të fqinjëve tanë. Ne kurrë nuk e kemi shndërruar çështjen e ujit në një kërcënim ose një mjet negocimi në marrëdhëniet tona dypalëshe. Ne do të mbajmë të njëjtin qëndrim të drejtë edhe më tej”, shtoi ai.

Presidenti Erdoğan tha se gjithsej 363 objekte të ndërtuara nga Ujësjellësi Shtetëror janë vënë në shërbim të popullit, duke shtuar se gjithsej 146,5 milionë metra kub ujë është i ruajtur dhe 12,3 milionë metra kub ujë i pijshëm vjen në vit falë këtyre objekteve.

Përkundër pandemisë së koronavirusit dhe thatësirës, vitin e kaluar Turqia theu një rekord kombëtar për prodhimin bujqësor, shtoi ai.

“Prodhimi ynë bujqësor u rrit për 20 për qind krahasuar me një vit më parë në 334 miliardë lira turke. Ne vazhdojmë udhëheqjen tonë në prodhimin bujqësor në Evropë”, tha ai.

Presidenti Erdoğan tha se këtë vit, qeveria do të sigurojë gjithsej 24 miliardë lira turke në mbështetje bujqësore për prodhuesit.

Kategoritë
BotaLajme