Estonia: NATO-s i duhet forcë permanente në Evropën Lindore për ta parandaluar Rusinë

“Ne duhet të kalojmë nga një parandalim i bazuar në mbrojtjen mbrapa në një parandalim të bazuar në mbrojtjen para”, tha një zyrtar i Estonisë para samitit të NATO-s

Estonia i bëri thirrje NATO-s të vendosë një forcë të përhershme në Evropën Lindore për të parandaluar një sulm të mundshëm rus në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të jemi në një mjedis krejtësisht të ri sigurie. Do të ketë një Ukrainë të re. Do të ketë një Rusi të re. Do të ketë një Evropë të re. Nuk ka kthim prapa në 23 shkurt”, tha Jonatan Vseviov, sekretari i përhershëm i Ministrisë së Jashtme të Estonisë, në një intervistë për Guardian përpara samitit të NATO-s të së enjtes.

Vseviov theksoi nevojën për të rritur mbrojtjen dhe parandalimin e aleancës ushtarake dhe sigurinë evropiane në përgjithësi, në afat të gjatë.

“Ne duhet të kalojmë nga një parandalim i bazuar në mbrojtjen mbrapa në një parandalim të bazuar në mbrojtjen para”, tha ai.

Vseviov i kërkoi NATO-s të reduktojë varësinë e saj nga përforcimet dhe të vendosë më shumë forca mbrojtëse të afta për të ndaluar një ofensivë ruse në shtetet e vijës së parë në Evropën Lindore.

Ai shprehu besimin e tij se anëtarët e aleancës do të arrijnë një “konsensus të gjerë politik” mbi nevojën për të ndërmarrë një veprim të tillë.

“Detajet e sakta janë duke u përpunuar”, tha ai.

NATO ka dislokuar më shumë se 20.000 trupa në shtetet baltike, Poloni dhe pjesën tjetër të Evropës Lindore pas shpërthimit të luftës Rusi-Ukrainë muajin e kaluar.

Për herë të parë, ajo aktivizoi Forcën e saj të Reagimit të NATO-s si një masë mbrojtëse në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi më 1 mars se aleanca ka rritur praninë e saj në krahun lindor.

Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka hasur në reagime ndërkombëtare, ku BE-ja, SHBA-ja dhe Britania, ndër të tjera, kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 953 civilë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe 1.557 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së. Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se numri i saktë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë pasi nuk ka qenë në gjendje të ketë akses në zonat e konfliktit.

Mbi 3,6 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Kategoritë
BotaLajme