Eurodeputetët në Sarajevë: Është koha që më në fund të flasim edhe për sanksionet

Bllokimi i punës së institucioneve është kufiri ekstrem, vija e kuqe që tashmë është kaluar dhe duhet të marrë përgjigjen e fuqishme, tha deputeti i Parlamentit Evropian Dietmar Koster

Koha është që përfundimisht të diskutohet për sanksionet, ishin të pajtimit eurodeputetët Tineke Strik dhe Dietmar Koster, të cilët po vizitojnë Bosnje e Hercegovinën, raporton Anadolu Agency (AA).

Eurodeputetët Tineke Strik (Të Gjelbrit / EFA, Holandë) dhe Dietmar Koster (S&D, Gjermani) po qëndrojnë në një vizitë dyditore në BeH, ku zhvilluan bisedime me aktorët kryesorë politikë përpara samitit të ministrave të jashtëm të BE-së më 15 nëntor, ku do të diskutohet për situatën në BeH.

“Ne jemi një nga autorët që punojmë në raportin vjetor për BeH. Jemi gjithashtu autorë të një letre që kërkon angazhim dhe përgjigje më të fortë të BE-së në kontekstin e kërcënimeve dhe rreziqeve të shprehura qartë nga z. Dodik (Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së BeH). Qëllimi i vizitës sonë në BeH, para së gjithash ishte për t’u njohur nga afër me situatën, të bisedojmë me sa më shumë aktorë, të ndiejmë nga afër pulsin e të gjitha ngjarjeve drejtpërdrejt në terren dhe të shqyrtojmë se cilët do të ishin hapat e ardhshëm më të mirë, zgjidhjet më e mira për të dalë nga kriza aktuale”, shpjegoi Tineke Strik, anëtare e Grupit të Gjelbër.

Sipas saj, janë dy tema që janë shtjelluar nëpër takimet e tyre.

“E para ka të bëjë me situatën aktuale politike dhe kërcënimin që vjen nga votimi i ligjit për tërheqjen nga Forcat e Armatosura, Autoriteti i Taksave Indirekte dhe gjyqësori brenda Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskas. Në kontekstin e një situate të tillë politike, më duhet të them se ne dëgjuam dhe pamë shqetësim dhe frikë. Tema e dytë ka të bëjë me hapat e ardhshëm që do të shkonin drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse. Si të ndërtoni një shoqëri që nuk është e ndarë në baza kombëtare”, tha Strik.

Ajo konsideron se “këto situata janë diçka ku BE-ja mund të ofrojë mbështetje më të fortë”.

“Pas qëndrimit tonë në Sarajevë, jam më e bindur në pikëpamjet se BE-ja duhet të jetë shumë më e rreptë dhe më e ashpër në përgjigje të deklaratave dhe lëvizjeve të zotit Dodik. Jam mbështetëse e veprimit të qartë të BE-së. Kishim deklarata shumë të qarta të SHBA-së dhe njoftimet për sanksione, se është koha e fundit që BE-ja t’i bashkohet një politike të tillë dhe të mbajë një qëndrim më të vendosur”, tha Strik.

Ajo ishte e mendimit se është koha për të treguar se do të kenë një përgjigje të fortë ndaj kujtdo që “kapërcen kufijtë e skajshëm”.

“Koha është që të vëmë në fokus këtë shoqëri dhe mirëqenien e saj dhe të shmangim digresionet e mëtejshme. BE-ja mund dhe duhet të ofrojë mbështetje më të fortë për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, si në kuadrin e reformave kushtetuese dhe zgjedhore. Mendoj se çështja kyçe është që vitin e ardhshëm, në zgjedhje, më në fund, të kemi zgjedhje të drejta dhe të ndershme në BeH që do t’u mundësojnë qytetarëve të tregojnë se çfarë lloj shoqërie duan”, theksoi Strik.

Deputeti Koster foli për takimet dhe situatën në BeH.

“Një nga mësimet e nxjerra është se kjo është një krizë e thellë politike. Unë besoj se BE-ja duhet të mbajë një qëndrim shumë të qartë dhe pa u hamendur se kush është fajtori i vërtetë për krizën aktuale politike dhe fajtorët janë të njohur për të gjithë. Është elita politike nga Republika Sërpska dhe Dodik. Mendoj se është koha që të flasim më në fund për sanksionet. Unë jam pro sanksioneve të synuara kundër atyre që bllokojnë punën e institucioneve. Bllokimi i punës së institucioneve është kufiri ekstrem, vija e kuqje që tani është kapërcyer dhe duhet të marrë një përgjigje të fuqishme”, tha Koster.

Ai beson se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë shumë vendimtare.

“BE-ja duhet të punojë më shumë për të ruajtur integritetin territorial që tani është vënë në pikëpyetje, kur shohim këto ekstreme që janë kapërcyer. Kur bëhet fjalë për sanksionet, javën e ardhshme do të kemi mundësinë të diskutojmë këtë temë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, nga BE-ja, që të mbështesë demokracinë dhe proceset demokratike dhe të bëjmë të qartë se shkëputja nuk është një opsion”, shpjegoi Koster.

Kategoritë
LajmeRajoni