Evropa mbyll kufijtë

Shtetet evropiane po përpiqen të ngadalësojnë përhapjen e koronavirusit, duke ndërthurur masat e rrepta parandaluese me ndalim-qarkullimet me jashtë.

Franca vendosi të mobilizojë xhandarmërinë për të mbikëqyrur respektimin e rregullave anticovid, të kufizojë udhëtimet e panevojshme dhe të bëjë të detyrueshëm testin PCR në kufi.

Kryeministri francez, Jean Castex tha se izolimi i plotë kombëtar do të ishte masa më e duhur por impakti i saj te francezët është i papërballueshëm.

“Prandaj, përpos masave që prodhojnë efekte reale por të kufizuara, kemi vendosur, që përveçse për arsye thelbësore apo pune, të ndalojmë çdo udhëtim drejt Francës apo nga territori ynë drejt një shteti tjetër që është jashtë Bashkimit Europian,” tha Castex.

Britania, Kanadaja, Gjermania, Portugalia dhe Republika Çeke janë në mesin e shteteve që po ashtu kanë njoftuar për kufizime të reja në udhëtime, për të ndaluar përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit që janë identifikuar deri tani në Angli, në Brazil dhe në Afrikën e Jugut.

Nga e shtuna, Gjermania ka ndaluar shumicën e udhëtarëve nga shtetet që tashmë kanë raportuar raste me mutacionet e reja, siç janë Britania, Irlanda dhe Portugalia.

Edhe rrugët e Norvegjisë ishin të shkretuara gjatë ditës, duke kujtuar skenat e marsit të shkuar.

Vendi nordik ka ndaluar hyrjen e të huajve nëse nuk kanë rol kritik në shoqërinë norvegjeze.

Mendoj se është mirë kur mendon situatën, sepse të gjithë duam që virusi të mos përhapet. Por të vjen keq që kufizimet ndikojnë te punët, te biznesi i njerëzve,” tha një pronar dyqani.

“Impakti social është i madh. Kam parë në lajme se si po preken familjet, si po shtohet dhuna, si po shtohen të alkoolizuarit dhe vuajtjet e fëmijëve,” u shpreh një banor.

Greqia po ashtu mbylli dyqanet të shtunën, duke u bërë thirrje qytetarëve në disa zona të blejnë me internet ose me telefon, ndërsa janë shtyrë pa afat planet për rihapjen e shkollave të mesme.

Ndërkohë, falë këtyre masave raportohet se të premten, Evropa regjistroi shifrën më të ulët të infeksioneve të reja me COVID-19 që nga muaji tetor.

Kategoritë
BotaLajme