Faruk Fatih Özer në “grackë”, ministri turk: Shqipëria vendi ku fshihet, rrethi po ngushtohet

Ministri i Brendshëm turk Süleyman Soylum ka deklaruar se së fundmi policia ka bërë të mundur neutralizimin e zonës ku ndodhet supermashtruesi Faruk Fatih Özer.

Mediat turke bëjnë me dije se ministri është shprehur se ka pasur zhvillime të rëndësishme dhe se vendndodhja e themeluesit të “Thodex” nuk ishte më sekret për Turqinë, rrethi për kapjen e tij po ngushtohet dita-ditës.

“E dimë që është në Shqipëri. Megjithatë po mbajmë në kontakt edhe vendet e tjera. E e dimë se ku është dhe do shkojmë aty. Është çështje kohe,”tha ai.

27-vjeçari Ozer është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon pasi rezulton i dyshuar për mashtrim në shtetin turk nëpërmjet valutës elektronike bitcoin që kap vlerën rreth 2 miliardë dollar.

Ndër të tjera në kuadër të informacioneve mësohet se Faruk Ozer rezulton të jetë futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të këtij viti, ndërkohë që kanë dalë dhe pamje filmike nga momenti kur ai është akomoduar në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.

Ndërkohë përmes një postimi në Tëitter Ozer mohoi akuzat, ku theksonte se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh. Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik.

Ozer gjithashtu tha që pretendimet se paratë ishin zhdukur ishin të pavërteta, ndërkohë që mbetet e paqartë se pse ai nuk është dorëzuar ende, sa kohë që beson në pafajësinë e tij. Policia shqiptare ka dhënë një shpërblim prej 50 mijë dollarësh, për të gjithë personat që japin informacion mbi vendodhjen e tij.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet