Fazliu: Nuk mbaj mend asgjë nga lufta, s’kam çfarë të dëshmoj në Speciale

Fahri Fazliu ishte vetëm tetëvjeçar në luftën e fundit në Kosovë. Por, Gjykata Speciale sot për të dërgoi një ftesë. Nipi i dëshmorëve, Bahri e Fahri Fazliu, u thirrë nga Specialja si dëshmitarë, për luftën në të cilën iu vranë edhe xhaxhallarët.

E një ftesë të tillë ai e ka konsideruar shumë jo serioze. Fazliu tregoi në emisionin “Frontal” në T7, tha se fillimisht ata e kanë kontaktuar në rrjetin social “Whatsapp”, për tu takuar më pas në një qendër tregtare në rrugën “Agim Ramadani” dhe në fund tek Policia e Kosovës.

“Mu dok shumë joserioze. Kenë dy persona, thoshin në telefon në ‘Whatsapp’ se janë nga Prokuroria. E lamë të takoheshim tek një dyqan. Shkova aty. Me ta ke edhe një përkthyes. Bisedat I kemi shkëmbyer edhe para Policisë së Kosovës, se unë kërkova. Shkruante se jam I ftuar si dëshmitarë me 23 qershor, që të shkojë në Hagë, në Holandë. Unë u thashë që kam dëshirë me u intervistu këtu. Me thanë dërgo një email edhe me kërku që me u intervistu këtu”, tha ai.

Madje Fazliu tha se ende mendon që ftesa për të është ngatërruar nga Specialja, teksa shtoi se letra përmbante logon dhe vulën e Gjykatës.

“Hale po mendoj që jam ngatërruar me dikë. Aty shkruante emir mbiemri dhe data e lindjes, asgjë tjetër. Mendova që jam ngatërruar me axhin por jo. Më thirrshin më shumë me mbiemër. Më letër ishte logoja, vula e Gjykatës Speciale. Kur i tregova që kam qenë tetëvjeçar më thanë, I nderuar kjo letër është për ty ne vetëm i përcjellim. Është e palogjikshme, e papranueshme dhe u ktheva në shtëpi me ftesën në dorë. Gjatë kohës së luftës isha në Prishtinë, në Breg të Diellit me familje. Aty mu ka vra axhi bashkë me Afrimin. Aty kemi qenë gjithmonë”, tha ai.

Fazliu theksoi se nuk ka çfarë të dëshmojë në Gjykatën Speciale. Madje ai tha se nuk mbanë mend asgjë tjetër, përveç lojës që bënte me fëmijët e lagjes pranë banesës së tyre.

“Absolutisht nuk di se çka ka me dëshmu. Tash besoj sqarohet kur të shkojmë. Po mendoj tash me u taku edhe me avokatin. Asgjë nuk kujtojë. Kam qenë shumë i vogël. Nuk di. Ne si familje atdhetare, të burgosur, të vuajtur, të vrarë nga Serbi, çka kam dëgjuar nga familjarët. Nuk di çfarë të them tjetër për atë kohë. U shqetësua edhe familja. Atëherë posa kisha filluar klasën e parë, isha me fëmijë, nuk di asgjë tjetër”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, Fazliu tregoi se si ka dëgjuar rrëfime nga familjarët për vuajtjet që i ka pasur familja e tij gjatë luftës në Kosovë.

“Na këna pa , ka pas policë, e milicë në banesa. Si familje kemi pasur shumë tortura. Tregon nëna kur ka qenë vrasja e Bahriut e Fahriut që unë skam qenë i lindur. Ka qenë halla dhe nana kur janë vra. Tregon nëna si shqetësim të madhë që i kanë torturuar shumë. Thotë automatat në fyt na i ka shti”, ka deklaruar ai.

“Do të isha pjesë e UÇK-së. Më ka mbetur breng”, tha për fund ai.

Kategoritë
LajmeVendi