Femra që u dhunua në Gjilan është 13 vjeçare, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit SH.H., i cili dyshohet se ka dhunuar një vajzë të mitur.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur gjatë muajit shtator të këtij viti. Një vajzë 13 vjeçare thuhet të jetë dhunuar nga një mashkull 18 vjeçar.

Nga Policia e Kosovës është bërë e ditur se viktima është dërguar për ekzaminimin mjekësor, ndërkaq i dyshuari është në mbajtje.

E kontaktuar nga lajmi.net, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini ka deklaruar se Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për 18 vjeçarin e dyshimtë.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, kundër të pandehurit SH.U. (2003), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Dhunimi’’ të KPRK-së, ndaj viktimës së mitur të moshës 13-vjeçare”, deklaroi Xheladini.

Ndërsa në raportin 24 orësh të policisë është thënë se i dyshuari është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

“Me 02.11.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti se kishte dhunuar seksualisht viktimën femër kosovare. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, u tha nga Policia e Kosovës.

Duhet përkujtuar që gjatë këtij viti pati raportime të shumta lidhur me dhunimin e femra anembanë vendit.

Në të shumtën e rasteve viktimat e dhunimeve ishin të mitura.

Kategoritë
LajmeVendi