FIFA nuk tregon nëse do ta dënojë Serbinë për festën skandaloze karshi Kosovës e Malit të Zi

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) mbrëmë njoftoi se do të bëjë ankesë në UEFA ndaj Serbisë, e cila kualifikimin në Kupën e Botës e festoi në mënyrë skandaloze. Futbollistët serbë festonin me fanella që përmbante një hartë serbe, ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë me mbishkrimin “Le të valëvitë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumije (Mal të Zi)”.

FFK mbrëmë përmes një deklarate reagoi për festën nacionaliste dhe të tërbuar të Serbisë, duke thënë se shtëpia e futbollit kosovar do të bëjë ankesë në UEFA.

Por, sipas UEFA-s, FFK e ka gabuar adresën e ankesës, pasi me këtë punë nuk ka kompetenca të merret UEFA, por FIFA. “Për çfarëdo çështje disiplinore në lidhje me kualifikimet për Kupën e Botës në Evropë, ju kërkojmë t’i drejtoheni FIFA-s”, ka deklaruar UEFA.

Ndërkohë, Gazeta Express kontaktoi me shtëpinë më të madhe të futbollit në botë për ta pyetur në lidhje me këtë rast, e cila tha se fillimisht duhet ta analizojë rastin para se të japë ndonjë koment.

“Sipas procedurës standarde, FIFA fillimisht duhet të analizojë raportet përkatëse të raportit të ndeshjes përpara se të jetë në gjendje ta komentojë atë”, thuhet në përgjigjen e FIFA-s për Express.

Vlen të kujtohet se FIFA ishte ajo e cila kishte hapur procedurë disiplinore edhe ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit rreth ekseseve të ndodhura para pak javësh në Tiranë në ndeshjen mes Shqipërisë e Polonisë, për çka FIFA e dënoi Shqipërinë me 150 mijë franga dhe një ndeshje pa shikues.

Kategoritë
LajmeSport