Fillon raundi i dytë i bisedimeve Rusi-Ukrainë në Brest të Bjellorusisë

Armëpushimi do të jetë ndër pikat kryesore të rendit të ditës në takim, ndërsa lufta vazhdon në ditën e tetë

Raundi i dytë i bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë filloi sot në qytetin bjellorus Brest, transmeton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni ukrainas kishte mbërritur më herët gjatë ditës, ndërsa ai i Rusisë kishte ardhur në qytet të mërkurën.

Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit rus, u tha gazetarëve dje se diskutimet do të përqendrohen në “çështjet që lidhen me një armëpushim dhe nevojën për një korridor humanitar”.

“Ne diskutuam pozicionet tona në takimet tona të mëparshme. Rusia paraqiti një sërë nismash lidhur me një armëpushim të menjëhershëm”, tha ai.

Raundi i parë i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës u mbajt të hënën, pa rezultate konkrete pas diskutimeve që zgjatën për rreth pesë orë.

Megjithatë, të dyja palët ranë dakord të zhvillojnë një raund të dytë negociatash për të arritur një armëpushim.

Kategoritë
BotaLajme